31 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

INSTAT: Kriza e pandalshme e bujqësisë dhe industrisë asgjësoi tërësisht rritjen e turizmit

Klodian Tomorri

Rritja e ekonomisë shqiptare u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar krahasuar me tremujorin e fundit të 2023-shit për shkak të rënies dramatike të prodhimit në industri dhe bujqësi.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se bujqësia dhe industria gjenden në një krizë të stërzgjatur pa asnjë precedent duke shënuar rënie të pandalshme për shumë tremujorë më radhe.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, prodhimi bujqësor në Shqipëri u tkurr me 2.7 për qind në terma vjetorë, ndërsa prodhimi industrial shënoi një rënie edhe më të thellë duke u ulur me 7.7 për qind.

Kriza e thellë e këtyre dy degëve po minon rritjen ekonomike të vendit duke asgjësuar në një masë të madhe përfitimet nga ecuria e mirë e sektorit të turizmit. Në tremujorin e katërt kontributi i turizmit në rritjen ekonomike të vendit ishte 0.8 pikë përqindje. Por kontributi negativ i industrisë dhe bujqësisë të marra së bashku ishte – 1.2 pikë përqindje.

Kjo do të thotë se në tremujorin e fundit të vitit rënia e bujqësisë dhe industrisë jo vetëm ka asgjësuar totalisht rritjen ekonomike nga sektori i turizmi, por ka qenë edhe më e madhe duke frenuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e të ardhurave për qytetarët.

Pavarësisht bumit turistik që trumbeton qeveria, ekonomia shqiptare nuk po arrin të rritet më shumë se 4 për qind në vit, ccka mbetet një rritje mediokre për vendet në zhvillim si Shqipëria, të cilat duhet të kapin nivelin e standardeve të vendeve të zhvilluara. Arsyeja është pikërisht rënia dramatike e sektorit prodhues duke bërë që qeveria ta kërkojë rritjen ekonomike në dëfterët e administratës publike dhe ato të taksave.

Kjo strukturë e rritjes ekonomike të vendit po përvijon dhe një paradoks të madh. Rritja e turizmit duhet të kishte sjellë efekte të vrullshme zinxhir edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, veccanërisht bujqësisë. Rritja e konsumit që vjen për shkak të rritjes së turizmit normalisht duhet të kishte sjellë më shumë prodhime bujqësore.

Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Turizmi rritet ndërsa bujqësia është në krizë të pandalshme. Kjo bën që në finale përfitimet e turizmit të jenë të papërfillshëm, pasi turistët e huaj po ushqehen me produktet e importit, të cilët prodhojnë të ardhura për fermerët e vendeve importuese dhe jo për ata shqiptarë. Ajo që ngelet si përfitim në ekonominë shqiptare nga ky cikël është marzhi i tregtarëve dhe taksat që qeveria mbledh nga taksimi i ushqimeve.

Sektori bujqësor është goditur rëndë gjatë viteve të fundit për shkak të emigrimit masiv, politikave të mbrapshta fiskale dhe korrupsionit qeveritar që u hoqi fermerëve shqiptarë grantet e bashkimit europian. Ky qerthull negativ po duket pa fund, duke prodhuar një realitet paradoksal, ku qeveria numëron rritjen e numrit të udhëtarëve, ndërsa ekonomisë i mbeten qindarkat e suksesit turistik.

Ndërsa prodhimi industrial po vuan pasojat lënguese të kursit të këmbimit me lekun e fort, që ka gërryer bazën prodhuese të ekonomisë shqiptare.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *