Për sa i përket depozitave, viti që lamë pas u mbyll me një rënie të normave të interesit, si për kursimet e ruajtura në lek, ashtu dhe për ato në euro. Sipas raportit tremujor mbi politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave në lek rezultoi 1.9%, nga 2.0% dhe 2.2% që ishte përkatësisht në tremujorin e tretë dhe të dytë të vitit 2024.
Sidomos për depozitat me afat deri në një vit, rënia e normave të interesit ka qenë më e madhe. Në mënyrë të ngjashme, interesi mesatar për depozitat në euro ka rënë në 1.1% në tremujorin e katërt, nga 1.4% që ishte në dy tremujorët paraardhës.
Interesat jo shumë të favorshme kanë bërë që individët të stepen disi nga bankat. Për rrjedhojë, nga ana e pasivit të bilancit të bankave vihet re një rritje më e ngadaltë e depozitave, e cila është rikthyer pranë mesatares të rritjes vjetore të pesë viteve të fundit.
Por, cila ishte gjendja e kursimeve të qytetarëve dhe bizneseve në fund të vitit 2024?
Depozitat në total të sektorit privat u rritën me rreth 8.6%, ose 1.7 pikë përqindje më pak se në tremujorin e tretë. Në këtë bilanc ndikoi rritja më e ulët e vitit e depozitave në valutë dhe rritja me rreth 37 miliardë e kursimeve në lekë gjatë tremujorit të fundit.
Ndërkohë që vërehet një ngadalësim i fortë te depozitat e bizneseve, edhe ato të individëve, janë rritur me norma lehtësisht më të ulëta se më parë, me konkretisht 9%. Pavarësisht kësaj, niveli i likuiditetit të bizneseve të depozituara pranë bankave mbetet në nivele të larta, duke përbërë rreth 20.2% të totalit.