27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Investime 100 mln euro, rrugët turistike që po ndërtohen

Bashkimi Europian dhe BERZH po financojnë një program investimesh 100 milionë euro për ndërtimin e rrugëve që lidhin zonat turistike të Shqipërisë dhe rehabilitimin atraksioneve të turizmit. Programi parashikon ndërtimin e rrugës që lidh Autostradën Fier-Vlorë me parkun Arkeologjik të Bylisit.

Punimet për këtë segment kanë filluar ndërkohë dhe përmes ndërtimit të rrugës synohet tërheqja e sa më shumë turistëve. Një tjetër segment që po rindërtohet është ai që lidh Poçemin me Vllahinën, i cili edhe ky synon të lehtësojë lidhjen mes qytetit bregdetar të Vlorës me parkun e Bylisit.

Brenda pak javësh përmes këtij programi pritet të nisin punimet edhe për rehabilitimin e parkut të Apollonisë. Të treja këto investime bëjnë të mundur ofrimin e paketave të reja për turistët vendas dhe të huaj, të cilat kombinojnë vizitat në trekëndëshin Vlorë, Bylis dhe Apolloni.

Paralelisht përmes këtij fondi është duke u financuar dhe rindërtimi i rrugës 42 kilometër që lidh Ersekën me Leskovikun duke përmirësuar lidhjen e këtyre zonave me Korçën dhe Gjirokastrën.

Një tjetër rrugë me gjatësi 40 kilometër ajo që lidh Perlatin me Fushë Lurën gjithashtu po rindërtohet. Ndërkohë që shumë shpejt pritet të nis edhe ndërtimi i rrugës nga Shiroka në Zogaj dhe ai i urës së re mbi Osum në qytetin e Beratit.  

Veç përmirësimit të infrastrukturës lidhëse, programi parashikon pastrimin dhe përmirësimin e një sërë vendeve turistike, duke përfshirë 4 kishat në Vithkuq dhe Voskopojë.

“Këto investime do të bëjnë të mundur që Shqipëria të shtrijë sezonin turistik përtej verës, gjatë gjithë vitit,” deklaroi Ekaterina Solovova, drejtoreshë e BERZH në Shqipëri.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *