Tenderi 368 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit ka zgjuar interesin e shumë kompanive të mëdha botërore.
Kapitali ka mësuar se në fazën e parë të tenderit, i cili u zhvillua vetëm pak ditë më parë janë paraqitur 17 oferta nga kompani ndërkombëtare, disa prej të cilave në bashkëpunim me kompani shqiptare.
Gjeografia e kompanive pjesëmarrëse shtrihet nga Italia në Indi, nga Turqia në Kinë. Mes ofertave spikatin emra si konglomerati italian Webuild dhe gjigandët turq të Yapi Merkezit. Këto janë kompani, të cilat kanë realizuar vepra të mëdha botërore nga hekurudha e linjës së shpejtë Torino-Milan dhe Bolonja-Firence deri tek metroja e Dubait, ajo e Stambollit dhe hekurudha e shpejtësisë së lartë Divaça-Koper në Slloveni.
Kjo ishte faza e parë e tenderit 368 milionë euro për ndërtimin e linjës hekurudhore nga Vora deri në Han të Hotit. Pas kësaj faze, ministria e Energjisë së bashku me Berzh do të përzgjedhin kompanitë të cilave do t’u kërkohet të paraqesin ofertat financiare.
Ndërtimi
Kosto totale e projektit është rreth 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.
Kështu 98.7 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Kësaj i shtohen edhe 133 milionë euro grant investimi nga Bashkimi Europian por edhe fonde te buxhetit. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.
Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.
Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
Sikurse është bërë e ditur më herët punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.
Ato do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve.