7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ivanka Trump: I jam dedikuar vetëm biznesit tonë në Shqipëri, po punojmë me arkitektët dhe markat më të mira të botës

E mënjanuar nga jeta publike dhe ajo politike në SHBA, Ivanka Trump ka rrëfyer në një intervistë arsyen që e ka mbajtur të zënë. Ish-vajza e parë thotë se i është dedikuar biznesit që po planifikon në Shqipëri.

“Tani për tani, unë jam duke punuar me burrin tim,” tha Trump në një intervistë në podcast të Lex Friedman. “Ne kemi këtë ishull prej 567 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira nga e gjithë bota.”

Resorti i Ivanka dhe Kushner do të drejtohet nga marka ultra luksoze Aman e Vlad Doronin. Hoteli do të ketë gjithashtu markën e njohur të ushqimeve, Carbone.

“Aman do të operojë hotelin për ne, dhe ato do të jenë vila, dhe ne kemi Carbone, i cili do të bëjë ushqimin dhe pijet,” shtoi Ivanka. “Por është e mahnitshme të bashkosh të gjithë këtë talent. Dhe po ashtu që unë të jem në gjendje të bëj sërish biznes në fushën e pasurive të paluajtshme dhe të argëtohem me të.”

Ivanka ka punuar më parë për babanë e saj në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, këtë herë ajo nuk është më në linjën e parë të fushatës së tij politike. Ajo nuk ishte prezente gjatë gjyqit të Trump dhe gjithashtu kur ish presidenti amerikan u përball me Joe Biden gjatë debatit të parë presidencial të vitit 2024, javën e kaluar.

Sa i përket hotelit të tyre të ardhshëm, 42-vjeçarja tha se do të “nderonte topografinë” e zonës.

Ajo gjithashtu dha një pasqyrë se si do të dukej hoteli. Ivanka tha se vizatimet konceptuale ishin “shumë moderne, por duke e bërë atë të ndihet e drejtë për sa i përket kontekstit të bimësisë dhe terrenit që ekziston.” Kur bëhet fjalë për materialet, ajo thotë se do të përdorin xham për të nxjerrë në pah pamjen e detit.

“Natyrisht që ju doni xham. Ju dëshironi të shikoni dhe të shihni atë det të mrekullueshëm blu, por si ta bëni këtë në një mënyrë që nuk duket e përgjithshme dhe nuk është një mundësi e humbur për të krijuar diçka të re,” shtoi ajo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *