Në Shqipëri, italianët nuk po vijnë vetëm për pushimë të lira, por edhe për të punuar e jetuar. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Jashtme e Italisë zbulojnë se aktualisht në Shqipëri ndodhen 2251 sipërmarrës italianë, të cilët kanë marrë rezidencën shqiptare dhe drejtojnë bizneset e tyre këtu.
Por pse italianët vijnë të bëjnë biznes në Shqipëri?
Arturo Fornone zv/president i Confimi Albania thotë se pjesa më e madhe e sipërmarrësve italianë zbarkojnë në Shqipëri për koston e ulët të punës dhe për faktin se taksat janë thuajse zero, ose maksimalisht 15 për qind.
Megjithatë ai tregon se jo çdo gjë shkon vaj në vendin e shqiponjave. “Ka probleme serioze me infrastrukturën, shpesh mungon energjia elektrike dhe në fund është dhe korrupsioni” thotë Fornone.
Sipas INSTAT, në total janë më shumë se 2600 biznese me kapital italian ose të përbashkët italo shqiptar. Por sipërmarrësit janë vetëm njëra kategori e italianëve që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri. Statistikat e ministrisë së Jashtme italiane tregojnë se aktualisht ka më shumë se 20 mijë shtetas italianë, që jetojnë në Shqipëri.
Dhe të dhënat tregojnë gjithashtu se të gjithë këta kanë ardhur në Shqipëri në 5 vitet e fundit. Mes tyre ka shumë pensionistë, që kanë zgjedhur Shqipërinë për një kosto më të përballueshme jetese me pensionet që marrin nga shteti italian. Një pjesë e mirë e tyre jetojnë, sipas ministrisë së Jashtme italiane, në zonat bregdetare të Shqipërisë.