Mijëra profesionistë të lirë rrezikojnë të paguajnë tatim deri në 23 për qind për vitin e kaluar, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizoi taksimin e këtyre subjekteve. Kaosi ka lindur pikërisht nga vendimi i gjykatës, që tani po interpretohet sipas qejfit në korridoret e ministrisë së Financave dhe administratës Tatimore duke rrezikuar të gjithë profesionistët e lirë, të cilët i kanë të gjitha të ardhurat nga më pak se 3 klientë.
Kur Gjykata Kushtetuese mori vendimin për taksimin e profesioneve të lira, ajo shfuqizoi vetëm një fjali të të nenin 69 të ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat. Kjo fjali thoshte shprehimisht: “Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit për të vetëpunësuarit dhe entitetet me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, të cilët furnizojnë shërbime profesionale.”
Kjo është fjalia që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e ligjit mbeti e paprekur. Por në nenin 12 të ligjit, të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar konsiderohen automatikisht si të ardhura nga punësimi, nëse përmbushen dy kushte;
1- 80 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose
2- 90 për qind ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë.
Kjo pikë e ligjit është në fuqi dhe klasifikimi si të ardhura nga punësimi, i fut të gjitha profesionet e lira, të cilat i kanë të ardhurat e tyre vjetore nga më pak se tre klientë në taksim progesiv me 2 shkallë; 13 për qind për të ardhurat deri në 2 milionë lekë e 40 mijë lekë në vit dhe 23 për qind për çdo të ardhur mbi fashën 2 milionë e 40 mijë lekë.
Në ministrinë e Financave nuk ka një vendim përfundimtar nëse mbi këta tatimpagues do të zbatohet taksimi i të ardhurave për vitin 2024. Disa thonë se taksimi është në fuqi dhe këta profesionistë të lirë do të paguajnë taksë. Të tjerë thonë që po shqyrtohen varianti që taksa të mos zbatohet për vitin që lamë pas, por të nisë nga viti 2025. Edhe administrata Tatimore është e paqartë se çfarë do të bëhet me ato profesione të lira, pasi deri tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar.
Një kaos fiskal të paaftësh, që nis nga Gjykata Kushtetuese, ministria e Financave dhe zbret deri tek administrata tatimore me drejtor të ri.