Qeveria shqiptare do të derdhë një kapital 100 milionë euro nga buxheti i shtetit për të themeluar Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen ka hedhur për konsultim publik projektligjin për ngritjen e bankës, e cila sipas draftit ka qëllim kryesor të financojë rritjen ekonomike të vendit.
“Synimi kryesor i Bankës së Zhvillimit do të jetë nxitja e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përmes kreditimit të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë, kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe start-up-et si edhe mbështetjes së projekteve zhvillimore që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra,” thuhet në relacionin e draftit.
Sipas projektligjit, objektivat kryesorë të kësaj banke do të jenë mbështetja e Sipërmarrjeve Shqiptare, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMV) dhe startup-et, duke ofruar financim dhe, sipas rastit mbështetje teknike, për të ndihmuar këto biznese të përmirësojnë produktivitetin, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të zgjerojnë prezencën e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Objektivi i dytë do të jetë nxitja e eksporteve. “Një nga objektivat e BZH, që gjendet edhe në një sërë institucionesh të ngjashme evropiane, është mbështetja e eksporteve shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.
Po kështu, banka shtetërore do të mbështesë projektet me rëndësi për zhvillimin ekonomik. “Në këtë kuadër, Banka e Zhvillimit do të veprojë kryesisht në rolin e ndërmjetësit financiar, duke kanalizuar fonde ose linja financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato evropiane apo partnerë të tjerë të zhvillimit, me fokus te projektet publike në nivel qendror dhe vendor, të cilat kanë përparësi për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërsa prioriteti i katërt është përcaktuar zhvillimi i Infrastrukturës Fizike dhe Digjitale. “BZH synon të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës që mbështet rritjen ekonomike dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Duke bashkëpunuar me autoritetet publike, institucioni mund të veprojë si bashkë-financues ose bashkë-investues, duke ndihmuar në realizimin e projekteve të rëndësishme që përballen me sfida financiare, duke siguruar kështu përfitime të qëndrueshme për komunitetet dhe ekonominë,” thuhet në ligj.
Por ku do t’i gjejë paratë banka e zhvillimit. Burimi i parë është kapitali 100 milionë euro që do të paguhet nga buxheti i shtetit. Veç tij, ajo do të mbledhë paratë e qytetarëve që duan të ruajnë kursimet e tyre, sipas modelit italian të librezave postare. Këto instrumenta kursimi, të cilat emetohen me postën kanë avantazhin e tyre kryesor se janë 100 për qind të garantuara nga shteti dhe ndryshe nga depozitat apo llogaritë në bankat private nuk kanë asnjë kosto komisionesh. Megjithatë përgjithësisht ato ofrojnë kthime më të ulëta se sa instrumentat klasike të kursimit.