Kazerma e Çerenit është nominuar për çmimin e turizmit të qëndrueshëm në panairin prestigjoz “World Travel Awards 2023”. E themeluar në vitin 1975 si barraka 3700 e ushtrisë, Kazerma e Çerenit u transformua 3 vjet më parë në një biznes agro-turizmi, i cili tregon historinë e pasur dhe traditën e kulinarisë shqiptare duke ruajtur trashëgiminë kulturore të vendit.
Agroturizmi furnizohet me energji të rinovueshme përmes paneleve diellore të shtrira në të gjithë zonën përreth, çka e ka bërë atë të parin agroturizëm të gjelbër në Shqipëri duke i mundësuar dhe nominimin për çmimin e turizmit të qëndrueshëm.
Pjesë e agroturizmit është dhe një muze lufte, i cili tregon historinë ushtarake të Shqipërisë, ndërkohë që restoranti shërben kryesisht ushqime tradicionale dhe organike të prodhuara lokalisht.
Çmimet World Travel Awards u themeluan në vitin 1993 për të njohur dhe promovuar ekselencën në industrinë globale të turizmit dhe udhëtimeve. Çmimi i turizmit të qëndrueshëm u akordohet organizatave, të cilat promovojnë praktikat e qëndrueshme të turizmit dhe kontribojnë në mirëqënien e komuniteteve lokale duke minimizuar impaktet negative në mjedis.