Bujku shqiptar po merret gjithnjë e më pak me blegtori dhe këtë e tregojnë të dhënat e publikuara nga INSTAT. Nëse i referohemi shifrave në këtë 5 vjeçar në vendin tonë, ka 153 mijë gjedhë më pak, si dhe afro gjysmë milioni dhi më pak.
Edhe pse numri i krerëve po bie çdo vit, Ministria e Bujqësisë në këto vite vazhdon që blegtorin shqiptarë ta mbështesë vetëm për numrin e krerëve duke lënë mënjanë kërkesën e fermerëve subvencionimin lekë për litër qumësht.
“E para ka të bëjë me braktisjen e fshatit dhe më pak familje fermerë në fshat do të thotë më pak blegtori më pak toka të punuara. Duhet synuar që këto fonde të munguara të IPARD-it të kompesohen menjëherë. Shteti të marrë masa që të injektohen menjëherë për blegtorinë”, shprehet eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia për Top Channel.
Sipas ekspertit të bujqësisë Ndoc Fasllia, të mbarështosh gjë të gjallë nuk është fitimprurëse për fermerin, por ky realitet mund të ndryshojë vetëm nëse Ministria e Bujqësisë do t’i ofrojë fermerëve mbështetje afatgjatë që ul kostot e prodhimit të mishit dhe qumështit.
“MBZHR duhet të shohë mundësinë e kalimit me kontrata afatgjata me fermerët për kalimin e tyre të paktën me 5 vjet që do të thotë duhet të hiqet dorë nga mbështetja sezonale e cila krijon pasiguri. Atëherë për fermat mbi 10 kokë gjedhë dhe 50 të imta të lidhet një kontratë 5 vjeçare”, tha ai.Rënia e numrit të blegtorisë për konsumatorin shqiptarë do të thotë më pak produkte vendase dhe më tepër mish e bulmet importi, ndërsa për fermerin tonë përkthehet si më pak të ardhura, pas industria e qumështit në Serbi gjen sasinë e qumështit që i nevojitet me çmim shumë më të lirë se qumështi I fermave vendase.