30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KESH do të ndërtojë central diellor 50 MW në Belsh me paratë e BE-së

Korporata Eleoktroenergjetike Shqiptare nuk do të prodhojë më energji vetëm nga uji, por edhe nga dielli. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është duke përgatitur studimin e fizibilitetit për ngritjen e një centrali diellor me fuqi 50 mega në Belsh.

Centrali do të ndërtohet dhe do të jetë në pronësinë e KESH. Ai do të financohet nga Bashkimi Europian përmes një granti, i cili mendohet të jetë rreth 50 milionë euro. Sipas projektit paraprak panelet e centralit do të instalohen në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh në zonën e Belshit.

Centrali diellor i Belshit është një nga projektet kryesore që do të përfitojë nga paketa 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, që u prezantua në Tiranë nga Ursula Von der Leyen gjatë samitit të Procesit të Berlinit.

Nga kjo paketë, pritet që 2 miliardë euro të jenë grante dhe Shqipëria synon të tërheqë të paktën 300 milionë euro financime falas nga Bashkimi Europian të cilat do të përdoren si mbështetje buxhetore apo financim projektedh publike.

Ndërtimi i centralit diellor në Belsh do të diversifikonte portofolin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila aktualisht prodhon energji vetëm nga hidrocentralet dhe një pjesë të papërfillshme nga disa panele lundruese të instaluara në to. Për këtë arsye korporata dhe financat e saj janë totalisht të varura nga kushtet atmosferike. Në vitet me reshje, KESH përballon furnizimin e vendit me energjie dhe siguron të ardhura, por në vitet e thata financat e kompanisë tronditen nga importet masive të energjisë.

Centrali i Belshit është investimi më i madh i KESH në burimet e reja të gjenerimit, që nga koha e përfundimit të hidrocentralit të fundit në Kaskadën e Drinit gjatë regjimit komunist. Në vitet e fundit, Shqipëria ka ndërtuar burime të reja për prodhimin e energjisë vetëm përmes kompanive private.

Por tashmë, KESH ka vendosur që të investojë vet në ndërtimin e burimeve të reja të gjenerimit duke shfrytëzuar fondet e disponueshme të Bashkimit Europian. Energjia e prodhuar nga një central diellor prej 50 mega vat do të ishte e mjaftueshme për të përballuar konsumin e rreth 75 mijë familjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *