Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shpallur tenderin për blerjen e 21 mijë tonëve karburant, që do të shërbejë për prodhimin e energjisë nga 2 TEC-et lundruese në Vlorë. Fillimisht Korporata kontraktoi një media ndërkombëtare për publikimin e njoftimit të tenderit duke bërë të ditur se ofertat e procedurës së karburanteve duhet të dorëzohen brenda datës 27 të këtij muaji.
Sipas specifikimeve në dokumenta, kërkohet që karburanti të jetë i llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%.
Ndërkaq, pas marrjes së ofertave nga kompanitë e interesuara KESH synon të nënshkruajë kontratën jo më vonë se data 5 shtator 2024, ndërsa dorëzimi i lëndës djegëse pranë Petroliferës Italo – Shqipatre, që ka fituar tenderin e depozitimit, duhet të përfundojë deri në 5 nëntor 2024.
TEC-et lundrues u pozicionuan në Portin e Triportit në shtator të vitit 2022, pas një procedure të ndërmarrë në kuadër të krizës energjetike, por deri më tani nuk janë vënë në punë.