Korporata Elektroenergjetike Shqiptare synon diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, përmes ndërtimit të një centrali diellor 50 Mëp në zonën e Belshit, teksa së fundmi ka avancuar në sigurimin e financimit të nevojshëm për finalizimin e projektit.
Vepra, ka një kosto totale prej 40 mln euro, ndërkohë që 30 mln euro do të financohen përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pak ditë më parë BERZH njoftoi se Bordi ka miratuar kredinë me garanci sovrane, duke i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes së huasë e më pas disbursimit të saj.
Ndërkaq, projekti pritet të financohet gjithashtu përmes një granti prej 8 milionë euro nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) dhe pjesa tjetër prej 2 mln euro, përmes një injeksioni të kapitalit nga KESH.
Referuar projektit, impianti fotovoltaik prej 50 MW dhe nënstacioni i lidhur do të ndërtohen në territorin e Bashkisë së Belshit në një hapërisë prej rreth 60 ha, ndërsa një linjë e re rreth 9 km, 110 kV do ta lidhë atë me rrjetin në nënstacionin ekzistues në Kajan, i cili do të zgjerohet si pjesë e projektit.
Sipas BERZH, energjia e prodhuar nga impianti do të përdoret për të rritur kapacitetin e gjenerimit të KESH-it dhe për të përmbushur Detyrimin e Shërbimit Publik, pasi aktualisht rreth 30% e konsumit vjetor të energjisë elektrike importohet. Gjenerimi i impiantit në BELSH pritet të përbëjë rreth 1% të prodhimit vjetor kombëtar të energjisë elektrike.
Scan