24 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

KESH nënshkruan kontratën 13.86 mln euro për ndërtimin e impiantit të Vaut të Dejës

Impianti diellor lundrues në Vaun e Dejës do të duhet të nisë prodhimin e energjisë elektrike vitin që vjen, duke diversifikuar burimet gjeneruese të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kjo, referuar afateve të kontratës të lidhur mes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe “SENA Solar Energy of Albania”, që zotërohet nga KESH dhe sipërmarrja e përbashkët kinezo – spanjolle Gamma – Sungrow. Sipas detajeve të bëra me dije nga BERZH, kontrata ka një afat 3-vjeçar, 2 prej të cilëve përfshijnë pikërisht periudhën e operimit dhe mirëmbajtjes.

Në total kosto për projektimin, ndërtimin dhe operimin e këtij impianti diellor lundrues arrijnë në 13.86 mln euro. Sipas KESH kapaciteti i impiantit do të jetë 12.97 MWp dhe sipas përllogaritjeve, prodhimi i parashikuar në vitin e parë do të arrijë në 18,808 mWh, me një prodhim mesatar prej 17,822 mWh/vit gjatë gjithë jetës së tij. Po ashtu, sipas KESH edhe pse impiantet fotovoltaikë lundrues konsiderohen ende një teknologji e re, sistemi i ankorimit të impiantit do të sigurojë operim normal edhe me luhatje deri në 15 metra të nivelit të ujit dhe rezistencë ndaj erës maksimale për 50 vitet e ardhshme.

Ndërtimi i impiantit diellor lundrues është një nga projektet e KESH, në kuadër të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo krahas centralit diellor në BELSH dhe vendosjes së paneleve fotovoltaike në digën e Zadejës. Aktualisht kompania publike e prodhimit të energjisë zotëron vetëm një impiant diellor prej 5.14 MWp të pozicionuar në digën e Qyrsaqit, në Vaun e Dejës, ndërsa pjesja tjetër e aseteve gjeneruese përfshin 3 HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe 2 TEC-et lundrues, të pozicionuar në Triport të Vlorës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *