Tre tenderë për blerje energjie janë zhvilluar nga Korporata Elektorenergjetike Shqiptare, brenda harkut kohor të 10 ditëve. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN, në total janë shpenzuar rreth 9 mln euro, për blerjen 95,922 mWh energji që do të shërbejë për plotësimin e nevojave konsumatore deri në datën 30 qershor.
Çmimi me të cilin është siguruar energjia në tregun e parregulluar varion nga 76 euro/ mWh, në 118 euro/mWh, ndërkohë që çmimi mesatar për të 3 procedurat e blerjes përllogaritet në 94.25 euro/mWh. Këto janë procedurat e para të blerjes së energjisë për këtë vit, pasi deri më tani nevojat janë plotësuar nga prodhimi i hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit. Teksa kjo situatë ndikohet nga mungesa e reshjeve dhe rritja e kërkesës për energji për shkak të rritjes së temperaturave.
Në fakt, deri në mesin e muajit qershor, situata hidrike ka favorizuar aktivitetin tregtar të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që ka zhvilluar 2 tenderë për shitje energjie si dhe një sërë procedurash optimizimi. Në total, nga aktiviteti tregtar KESH ka gjeneruar gjatë këtij viti rreth 6.2 mln euro të ardhura.
Scan TV