28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Këshillat e Investimeve dhe lobimi me pasuritë publike

Në vitin 2016, Edi Rama fluturoi në Suedi, i ftuar nga homologu i tij Stefan Löfven për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Këshillit të Investimeve Shqipëri-Suedi. Këshilli, i cili kishte për qëllim të sillte investimet suedeze në Shqipëri, do të drejtohej nga ish kryeministri suedez Goran Persson.

“Nëse përgatiteni mirë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe reformën në drejtësi do të jeni një vend shumë tërheqës për investimet e huaja direkte. Kjo është diçka që ne mund t’ju ndihmojmë të arrini dhe jam shumë i interesuar për një bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin tuaj, Edi Rama”, tha Persson në ceremoni.

Këshilli u trumbetua me të madhe nga qeveria e Shqipërisë si një mekanizëm që do të sillte jo vetëm investime, por edhe njohuritë skandinave të biznesit në Shqipëri për të zhvilluar ekonominë shqiptare.

Qeveria shqiptare pagoi 500 mijë euro nga buxheti për të financuar Këshillin e Investimeve Shqipëri Suedi. Pasi Këshilli zhvilloi disa mbledhje, më në fund erdhi dhe investimi i parë dhe i vetëm suedez në Shqipëri.

Një kompani suedeze me emrin Albvil ndërtoi në Nivicë një resort natyror me emrin Camp Nivica. Pronari i Albvil është Anders Lindberg, ndërsa administratore e kësaj kompania rezulton vajza e tij, Astrid Caroline Lindberg.

Zoti Lindberg është krahu i djathtë i ish kryeministrit suedez Goran Persson, që njëkohësisht drejtoi dhe Këshillin e Investimeve Shqipëri Suedi. Kur zoti Persson përfundoi mandatin si kryeministër ai iu bashkua kompanisë së Linberg, JKL.

Për ta thënë shkurt, Këshilli Shqipëri-Suedi përfundoi në një qokë për t’i dhënë një pasuri publike partnerit të ish kryeministrit suedez. Me sa duket edhe skandinavët i kanë qejf dhurata.

Në fund të muajit të kaluar, Shqipëria u vizitua nga një delegacion zyrtar saudit. Në datën 1 mars disa ministra të qeverisë shqiptare firmosën me delegacionin saudit krijimin e Këshillit të Biznesit Shqipëri-Arabi Saudite.

Edhe këtë herë motivazioni ishte i njëjtë, sjellja e investimeve arabe në Shqipëri. Por me sa duket fundi do të jetë i ngjashëm me atë të Këshillit suedez. Dhurimi i pasurive publike të Shqipërisë për të blerë kredite politike nëpër kancelaritë e botës. Por këtë herë, peshku është edhe më i madh se sa kampi i Nivicës.

Një ditë më parë, Neë York Times publikoi një shkrim sipas të cilit dhëndrri i Donald Trump do të ndërtojë resort në ishullin e Sazanit. Paratë sipas NYT do të vijnë nga Arabia Saudite, e cila do të ndihmojë qeverinë shqiptare edhe për të ndërtuar infrastrukturën në ishull, përfshirë ujësjellësit dhe energjinë elektrike.

Këshillat e Investimeve të qeverisë së Shqipërisë janë mekanizma të cilët deri tani kanë blerë kredite politike për Edi Ramën me pasuritë publike të Shqipërisë. Sazani është Green Card-i i Edi Ramës për në Shtëpinë e Bardhë.

Por teksa Rama ble kredite politike duke dhuruar pasuritë e shqiptarëve opozita hesht. Nuk flet sepse shpreson që rrotacioni politik në SHBA do të ndihmojë kauzën e saj dhe do të nxjerrë Partinë Demokratike nga izolimi ndërkombëtar ku e ka future Shtëpia e Bardhë. Por ta besosh këtë tani është naive.

Edi Rama do të jetë sërish i preferuari i Perandorisë. Falë pasurive publike të Shqipërisë që fal për të siguruar kredite. Këtë herë madje shumë më lart se sa favoret e një ish agjenti sekret të diskretituar. Dhe ndërsa pasuritë publike të Shqipërisë falen në marrëveshje të këtij lloji, shqiptarëve u mbetet të shpresojnë se nuk do të bëhen si banorët e Haitit që tregoi varufaqis. Të merren me furgona nga getot ku jetojnë për të larë tualetet e resorteve të kryeministrit.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *