27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KKT jep leje për hotel brenda në detin e Vlorës

Pas betonizimit masiv të kryeqytetit dhe zonave bregdetare, paraja me origjinë të dyshimtë nuk po kursen më as vetë detin. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për një hotël dy katësh brenda në det, në zonën e Lungomares në Vlorë.

Sipas Dokumentit të Rregullore së Veçantë, hoteli do të ngrihet mbi një pistë ekzistuese, që gjendet mes fushës së sportit dhe tunelit të Vlorës. Kompania përfituese e lejes së ndërtimit është Adhenis, e cila zotërohet nga Artur Shehu.

Ndërtesa me dy kate, në katin e parë do të ketë restorante dhe njësi shërbimi. Ndërsa kati i dytë i saj do të shërbejë si hote. Sipas vendimit të KKT-së, thelbi i projektit është të shprehë dhe nënvizojë pamjet e jashtëzakonshme mbi Gjirin e Vlorës dhe gadishullin e Karabarunit.  

Nuk dihet se si kompania ka fituar pronësinë e detit, por një investigim i dy viteve më parë nga gazetarja Lindita Çela në kuadër të Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e denoncon Shehun si një figurë të nëntokës, i përfshirë në grabitjen e tokave në Vlorë dhe me lidhje të fuqishme. (Kliko këtu për të lexuar investigimin e OCCRP).

Disa vite më parë, qeveria nisi një aksion masiv për prishjen e ndërtimeve në bregdetin e Vlorës duke shembur më shumë se 104 ndërtesa, hotele dhe njësi biznesi për t’i hapur rrugë projektit të Lungomares. Por tani që Lungomarja u ndërtua, betoni po hyn në mes të detit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *