Këshilli Kombëtar i Territorit zhvilloi këtë të hënë mbledhjen e radhës, ku ka miratuar lejet e zhvillimit apo ndërtimit për resorte, hotele, por disa centrale të mëdha më erë. Në pikën e parë të rendit të ditës ka qenë miratimi i lejeve të zhvillimit për të dy fazat e Portit Turistik të Durrësit. Paralelisht me Marinën e Durrësit, është miratuar leja e ndërtimit edhe për një objekt rezidencial në, pjesë e Portit Turistik të Vlorës. Veç dy porteve turistike, KKT ka miratuar lejet e zhvillimit për disa hotele dhe resorte në qytetin e Durrësit.
Më konkretisht është miratuar leja e zhvillimit për objektin “Kompleksin Hotelier në Gjirin e Lalzit me subjekt zhvillues Murati Group. Paralelisht është miratuar leja e zhvillimit për objektin Hotel dhe kompleks turistik “Iliria”, me vendndodhje në Bashkinë Durrës”, me subjekt zhvillues Nikolla Laçi si dhe leja e zhvillimit për objektin: “Azure Elegance Hotel”, me vendndodhje në rrugën Plazh/13, me subjekt zhvillues shoqërinë “Adriatic Union” sh.p.k. Kjo e fundit është një kompani, e cila zotërohet në masën 50 për qind nga Genti Klosi, vëllai i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, ndërsa gjysma tjetër e aksioneve zotërohet nga Petrit Kovaçi.
Lejet e tjera në rendin e ditë kanë qenë ato për disa objekte publike, por edhe për ndërtimin e tre parqeve të mëdha eolike në zona të ndryshme të vendit. Kështu, është miratuar leja e zhvillimit për objektin: “Park Eolik”, me vendndodhje në Kryevidh, Bashkia Rrogozhinë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Verbund Green Poëer Albania” sh.p.k, ajo e “Parkut të erës “KMV 4”, me kapacitet 75 MË në Bashkinë Fushë-Arrëz me subjekt zhvillues francezen “Total Eren” sh.a. dhe shqiptaren “KMV” sh.p.k si dhe leja e zhvillimit për Ndërtimi i Parkut Eolik me kapacitet 75 MË”, me vendndodhje në Tragjasë Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “BRD Energy” sh.p.k, e cila zotërohet nga një grup turk.
Ndërkohë në rendin e ditë ka qenë miratimi edhe i shumë centraleve të vogla diellore me kapacitet të instaluar deri në 2 mega. (Kliko këtu për të parë rendin e ditës së KKT)