27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

KKT miraton përbindëshin 58 kate tek Rruga e Kavajës

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e zhvillimit për kullën me 58 kate që do të ndërtohet tek Rruga e Kavajës. Leja është miratuar në 28 dhjetor të vitit të kaluar, por nuk është zbardhur ende në faqen zyrtare të KKT-së. Kulla e ilustruar në foto do të quhet Bofill Tower sipas emrit të projektuesit të saj, arkitektit të njohur spanjoll Ricardo Bofill.

Ky objekt do të ndërtohet nga shoqëria shqiptare “Classic S & J” sh.p.k. E themeluar në vitin 2007, kompania “Classic S & J” zotërohet 100 për qind nga Mirela Papuli, bashkëshortja e biznesmenit Agron Papuli. Me miratimin e lejes së zhvillimit në 28 dhjetor të vitit të kaluar për kullën 58 katëshe, kjo shoqëri bëhet kështu ndërtuesja e objektit më të lartë në Shqipëri.

Gara për kullat në Tiranë është aq e ethshme, saqë rekordi i lartësisë thyhet thuajse çdo vit. Downtown One, kulla 40 katëshe e kompanisë Kastrati e gëzoi rekordin si ndërtesa më e lartë në Tiranë dhe Shqipëri, për më pak se 1 vit. Tashmë kulla më e lartë do të jetë 58 katëshi tek rruga e Kavajës. Por edhe kjo me gjasa do të rrëzohet shumë shpejt nga podiumi, pasi pak muaj më parë u prezantua projekti për një tjetër shumëkatësh bnë qendër të Tiranës, tek ish gropa e Hajdin Sejdisë.

Zakonisht garat sjellin zhvillim. Mirëqënia e përgjithshme e popullsisë rritet kur bizneset garojnë në treg se kush ofron produktin më të mirë me koston më të lirë. Kapitali human zgjerohet kur shkollat garojnë me njëra tjetrën për studentët më të mirë, e kështu më radhë. Por kjo e kullave është një garë që sjell shkatërrim.

Aktualisht Tirana urbane është një nga qytetet më dendësinë më të lartë të popullsisë në Europë. Në zona të caktuara të qytetit dendësia e popullsisë shkon, sipas INSTAT, deri në 35 mijë banorë për kilometër katrorë. Përbindëshat e betonit që miratohen në seri vetëm do të shtojnë më shumë përqëndrimin e popullsisë në një qytet, i cili nuk ka parqe, nuk ka ka infrastrukturë, ka ndotjen më të madhe në Europë dhe është i zënë në kaps nga trafiku.

Ndërkohë bumi i kullave në kryeqytet ka rritur dyshimet për shndërrimin e Tiranës në një lavatricce të madhe europiane, e cila përmes ndërtimit pastron paratë që vijnë nga aktivitetet e jashtëligjshme si trafiqet apo korrupsioni.

Miratimi i lejes së zhvillimit për kullën 58 kate në prag të zgjedhjeve lokale tregon se qeveria nuk ka ndër mend të tërhiqet nga projekti i saj për shndërrimin e Tiranës në një qytet betoni intensiv dhe me pa memorie historike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *