Pas denoncimeve në media, por edhe ankesave publike të noterëve për bllokimin e punës në Kadastër, ka reaguar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kryetari i KLSH-së Arben Shehu ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të një ekipi kontrolli për të nisur auditimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
“Duke marrë masa të menjëherëshme për të hetuar dhe korrigjuar problemet në sistemin e shërbimeve online në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, KLSH vlerëson si emergjencë shqetësimin e ngritur nga mediat,” thonë burime zyrtare nga KLSH.
Kolapsi i Kadastrës
Një ditë më parë portali Oligarkia.al paralajmëroi se situata e Kadastrës pritet të përshkallëzohet në shtator, kur qytetarët të kthehen nga pushimet dhe të nisin transaksionet normale në tregun e pasurive të patundshme. Burime nga KLSH thonë se për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, është vendosur që Kadastra të vihet menjëherë në auditim.
Aktualisht mësohet se janë me dhjetra mijëra aplikime stok në Kadastër, të cilat nuk marrin përgjigje ose marrin përgjigje jashtë objektit të kërkesës.