13 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Kollozi, Xhillari, Pacolli dhe Dulakët në “luftë” për të marrë vilat qeveritare në Vlorë

Një luftë e ashpër mes disa emrave me peshë në politikë dhe biznes pritet të zhvillohet për të tjetërsuar një nga pronat më të lakmuara në Shqipëri; godinat dhe territorin e Vilave Qeveritare te Uji i Ftohtë në Vlorë. Disa muaj më parë, VoxNews investigoi një vendim të beftë të Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila do të nxirrte në ankand një super pasuri në Vlorë, e cila është kërkuar me ngulm nga oligarkët dhe politikanët për t’a tjetërsuar.

Disa javë më pas, Korporata ka kualifikuar 4 nga 5 kompani, teksa emrat që do të garojnë duket se më tepër do të negociojnë sesa do të “garojnë” me njëri-tjetrin. Ardian Kollozi, Alban Xhillari, Behxhet Pacolli kanë dërguar kompani satelitë për të konkurruar. Firma e katërt është ajo e vëllezërve Dulaku, ndërsa i vetmja kompani që nuk kaloi raundin e parë është ajo e Luan Bregasit.

Padyshim emra VIP, njëri më i fortë se tjetri, me lidhje të forta politike dhe me pasuri marramendëse. Emra që kanë fituar edhe më parë kontrata apo pasuri publike, dikush me tendera, të tjerë investitorë apo edhe ndërtues aeroportesh. Duket se, lufta do të jetë me influenca, ku fiton ai që influencon deri në rangjet më të larta të politikës. Apo mund të jetë edhe një “qokë” në prag zgjedhjesh, por kjo mbetet për t’u parë.

Faksimile: Dokumenti i Korporatës së Investimeve Shqiptare e cila ka kualifikuar 4 firma për vilën qeveritare në Vlorë

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Korporata e Investimeve Shqiptare, ka kualifikuar firmat në projektin “për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Vlorë”.

Në dokument sqarohet se aplikantët, të cilët kanë paraqitur aplikime në fazën e parë, të procedurës janë shoqëria “Blu Horizont 2005” shpk. Mësohet se firma zotërohet me 100 % të aksioneve nga Endi Kollozi, djali i Ardian Kollozit, ish-deputet i PD-së, drejtor ALUIZNI në Vlorë dhe tashmë biznesmen i madh. Mbetet për t’u parë edhe renditja e Kollozit në këtë ankand, mund të jetë një qokë për zgjedhje?!

Kollozi ka qenë edhe kryetar i PD-së së Vlorës dhe shpesh herë ka marrë leje nga Rama për pallate në Vlorë, madje edhe në zonën e shumë kërkuar të Lungomares. Tashmë kërkon një “llokmë” të madhe, te Uji i Ftohtë.

Ndërkohë, ai duhet të konkurojë me shoqërinë “Soleil and Sea” shpk, firmë e cila në pronësi me letra del e Endri Mingollari me 90 % dhe Ardit Bajraktari 10 %. Mësohet se firma operon në Jalë, teksa ka fituar edhe statusin e Investitorit Strategjik, teksa pas kësaj firme qendron një nga biznesmenët më të favorizuar nga mazhoranca, Alban Xhillari. Ky i fundit është “aministuar” disa herë për grabitjen e pronave në bregdet, teksa ka vënë në radhë edhe shtetin, i cili i bën rrugë, i çon ujë të pijshëm dhe i bën kanalet e ujërave të zeza në kompleks.

Kompania e tretë e kualifikuar është bashkimi i subjekteve “2A Group”, “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP”, “Barclay Crousse”, “Tharm Architects”, Brand

Company “Swiss Diamond Group SA”. Firmën 2A e zotëron Valon Ademi, një firmë satelite e Behxhet Pacollit. Ademi po punon krahë Mabetex-it në Aeroportin e Vlorës, teksa është një kandidat shumë i fortë për të marrë Vilat Qeveritare në Vlorë. Ademi ka qenë edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë, teksa ai ka një “mik të fortë” për të fituar këtë “betejë”.

E katërta në radhë e kualifikuar është bashkimi i subjekteve shoqëria “Edil-Al-IT” shpk & “Zdrava”. Firma e parë është në pronësi të vëllezërve Dulaku, të cilët operojnë në televizion, ndërtim dhe turizëm. Ata operojnë me ndërtime në Gjirin e Lalzit, në Vlorë apo edhe në Sarandë.

Firma e vetme e cila nuk kaloi fazën e parë është “SARA-EL” shpk, “Palace Hotel SPA” shpk dhe “ALL GLLAS” shpk. Firma SARA-EL është në pronësi të z.Luan Bregasi.

Këto firma krahas godinave dhe territorit synojnë të marrin edhe plazhin. Disa ditë para se të kualifikoheshin këto firma, Koporata ka bërë një sqarim. Një nga operatorët e pyeste; Për të ditur dhe për të dhënë një informacion dhe Brand-it, këto struktura do të kenë të tyrin shfrytëzimin e plazhit dhe sa do të jetë kjo sipërfaqe?

Sqarimi ishte se përgjigjja e kësaj pyetje do të merret mbi bazë të legjislacionit shqiptar të turizmit në fuqi. “Për këtë mund të komunikojmë me MTM-në, pas përzgjedhjes së fituesit, për të marrë një përgjigje më të detajuar” ishte pergjigja, teksa konfirmon se edhe zona e plazhit do t’i kalojë privatit.

Faksimile: Harta me 3 vilat në atë rezidencë do t’i kalojnë privatit

Por, çfarë do të administrojnë privatet? Në janar 2025, VoxNews zbardhi dokumentet, ku shkruhej se ambientet në atë rezidencë përdoren shumë rrallë, duke u kthyer në pasuri të nënshfrytëzuara që ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për transformim dhe zhvillim ekonomik.

“Pronat ku do të zhvillohet ky projekt janë rezidenca qeveritare ‘Vila nr. 2’ me sipërfaqe 1.126 m2. ‘Vila nr.6’ me sipërfaqe ndërtese 332.48 m2 dhe ‘Vila nr.9’ me sipërfaqe 186.18 m2” shkruhet në dokumente.

VoxNews mësoi se Korporata shkruan se zona e Ujit të Ftohtë në Vlorë është rajon me rëndësi të veçantë natyrore dhe historike në Shqipëri dhe i pashfrytëzuar. “Ky projekt ofron një mundësi për të ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë së përdorimit të këtyre rezidencave me adoptimin e standardeve më të avancuara të mikpritjes dhe menaxhimit të hapësirave luksoze” është justifikimi i kësaj agjencie.

Më tej sqarohet se sipërfaqja e konkursit është 1.644.7 m2, ku rezidenca është 6 km larg nga Vlora dhe 190 nga Tirana. Në ato ambiente do të bëhen hotele me 5 yje, duke tjetërsuar një nga pasuritë e radhës, pronën e lakmuar brenda rezidencave qeveritare te Uji Ftohtë në Vlorë.

Vox News

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *