Klodian Tomorri
Në vitet 70’ një djalosh i ri i sapodiplomuar nga Universiteti i Vanderbiltit nisi të punonte në atë që më vonë do të quhej mikrofinanca. Në zonat rurale të Bangladeshit, Muhammad Yunus vuri re se shumë fermerë dhe artizanë i financonin bizneset e tyre duke marrë borxhe me interesa të papërballueshëm nga fajdexhinjtë, pasi refuzoheshin nga bankat.
I shtyrë nga kjo, ekonomisti i ri do të ndërtonte një skemë gjeniale financimi jo fitimprurëse e cila kishte dy qëllime. Të eliminonte hudhënësit peshkaqenë, që pasuroheshin në kurriz të të varfërve dhe të ndihmonte familjet e varfra të ngrinin bizneset e tyre për të dalë nga varfëria.
Gjithçka nisi në një fshat të quajtur Jobra, ku zoti Yunus rifinancoi fajdetë e 42 familjeve përmes kredive të vogla me interesa shumë më të ulëta. Ky model- hua të vogla me interesa të ulëta për grupet e huamarrësve – u bë guri i themelit për krijimin e bankës Grameen dhe lëvizjen mbarëbotërore të mikrofinancës.
Në atë kohë, suksesi ishte aq i madh saqë Yunus do të nderohej me çmimin Nobel dhe askush nuk e çonte nëpër mend se një ditë mikrofinanca do të krijonte llojin e saj të kredive grabitqare. Por ja që ndodhi.
Problemet e para nisën rreth vitit 2005, kur shumë huadhënës filluan të kërkonin rrugë për të fituar para nga mikrokreditë duke ndryshuar statusin e tyre nga organizata jo fitimprurëse në ndërmarrje komerciale.
Rrufeja e parë ishte një bankë meksikane e quajtur Compartamos. E themeluar në vitin 1990 si një organizatë jofitimprurëse që ndoqi mësimet e Nënë Terezës, Compartamos u konvertua në një bankë tregtare në vitin 2000. Më pas ajo përdori financime nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë për ta transformuar veten në modelin e një kompanie fitimprurëse, e specializuar në dhënien e mikrokredive.
Dallëndyshja e parë meksikane e së keqes u pasua nga shumë të tjera kudo në botë. Institucionet e mikrokredisë nisën të shndërroheshin në seri nga OJF në kompani fitimprurëse. Por komercializimi i mikrofinancës krijonte një incentivë perverse, e cila devijonte rrënjësisht qëllimin e saj.
Për të siguruar fitime për aksionerët e tyre huadhënësit nisën të rrisnin ndjeshëm normat e interesit dhe të përfshiheshin në aktivitete agresive për mbledhjen e borxheve. Empatia që ekzistonte dikur kundrejt kredimarrësve u zhduk. Njerëzit, të cilët mikrokredia supozohej se do t’i ndihmonte nisën të mbyteshin në spiralen e borxheve dhe mjerimit. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, modeli u zhvendos nga kreditimi i bizneseve që gjeneronin të ardhura tek dhënia e kredive konsumatore për shpenzimet e përditshme.
Pas këtyre zhvillimeve, vetë themeluesi i mikrofinancës do të publikonte një artikull në New York Times, në të cilin shkroi se komercializimi i mikrofinancës ishte as më shumë e as më pak, një komplot kundër të varfërve. Skema që Yunus ngriti për të luftuar varfërinë u shndërrua në një përbindësh mjerimi, që i zhyste të varfërit thellë e më thellë në vorteksin e borxheve të rënda.
Për fatin e keq ky është modeli që përdorin disa nga institucionet kryesore të mikrofinancës sot në Shqipëri. Të paktën, pjesa më e dukshme e tyre. Këto kompani japin kredi konsumatore me norma interesi deri në 100 për qind për çdo individ, pavarësisht aftësisë së tij për ta shlyer atë.
Por ky është një model aq absurd saqë ngrihet mbi vetë paradoksin. Avokatët e mikrofinancës thonë se ajo u jep akses në financime individëve të varfër, të cilët nuk kualifikohen dot për të marrë hua në banka. Por nëse një individ nuk mund të përballojë interesin 10 për qind të kredisë në bankë, si mundet të shlyejë një hua me interes 100 për qind nga institucionet jo bankare?
Ndaj mikrofinanca komerciale është një model pervers në themel, që prodhon kryesisht dy pasoja. Ngarkimin e familjeve të varfra me borxhe grabitqare dhe infektimin e ekonomisë me skaljone të mëdha kredish të këqija. Në rang botëror, statistikisht gjysma e kredive të mikrofinancës komerciale shndërrohen në kredi të pashlyera. Më pas debitorët e tyre hidhen në kthetrat e përmbarimit dhe dramave sociale.
Ata që thonë se komercializimi është mënyra e vetme për të tërhequr më shumë kapital në mikrofinancë duke hequr varësinë e tij nga donacionet dhe bamirësia mashtrojnë. Grameen Bank financonte deri në 100 milionë dollarë në muaj kredi për familjet e varfra të Bangladeshit, të cilat buronin nga depozitat e vetë qytetarëve të këtij vendit. Banka aplikonte vetëm një spread 10 për qind mbi normën e depozitave për të financuar shpenzimet administrative dhe për të zmadhuar kapitalin disponibël kreditues. Por asnjëherë për qëllime fitimi. Kjo është mikrofinanca. Gjithçka tjetër jashtë këtij konturi është, në rastin më të mirë risk.
Model i mikrofinancës sociale pa qëllime fitimi vazhdon të aplikohet edhe në Shqipëri nga disa institucione jo bankare, të cilat mobilizojnë kapitale nga grupe të caktuara dhe i shpërndajnë ato në financimin e aktiviteteve sipërmarrëse. Ky është modeli që duhet të ruhet. Ndërsa mikrofinanca komerciale duhet të vritet. Sepse është një treg pervers, i cili prodhon zero vlerë për ekonominë dhe një mal dramash sociale për shoqërinë.