27 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Kompania që fitoi tenderat, për të cilët akuzohet Plarent Ndreca, kërkon paratë nga shteti

Arkitekti dhe ish-zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, ka reaguar në lidhje me informacionet se celulari i tij ka zbuluar skemën e rikonstruksionit të disa komisariateve në vend, pas vendimit të Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, deputeti socialist Plarent Ndreca është zyrtarisht i pandehur dhe SPAK pretendon se ai ka shkelur ligjin gjatë kohës që ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, lidhur me tenderat për komisariate.

Radovani shpjegon se kompania e tij ka marrë pjesë në garë për rikonstruksionin e komisariateve në Shqipëri dhe ka fituar projektin për Vlorën dhe Rrëshenin. Ai thekson se punimet janë kryer dhe taksat janë paguar, por Ministria e Brendshme ende nuk ka bërë pagesat për këto shërbime.

“Edhe sot, fatura për punën e kryer nuk është likuiduar nga Ministria e Brendshme, dhe dy kompanitë që morën pjesë në bashkimin e operatorëve ekonomik po përballen me rrezikun e falimentimit. Ata kanë paguar taksat sikur të kishin marrë paratë për faturën, por nuk kanë marrë asgjë”, shprehet Radovani.

Ai dhe disa kolegë kanë kontaktuar herë pas here funksionarë të Ministrisë për të kërkuar pagesat e munguara, por asnjë masë nuk është marrë për të zgjidhur këtë çështje. Në këtë situatë, ata kanë vendosur të angazhojnë një avokat për të ndjekur rrugën ligjore.

“Për këtë arsye, kam në dispozicion të gjithë dokumentacionin që vërteton të vërtetën e kësaj situate,” përfundon Gjon Radovani.

Ora News

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *