27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kompanitë e naftës letër qeverisë: Koncesioni i markimit ka përfunduar

Skandali me koncesionin e markimit të karburanteve ka marrë përmasa të tjera. Kompanitë e tregtimit të karburanteve i janë drejtuar zyrtarisht me shkresë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, ku ankohen se tarifa e markimit po u merret në mënyrë të paligjshme, pasi koncesioni i markimit ka përfunduar ligjërisht.

“Sipas parashikimeve të kontratës rezulton se koncesioni i markimit të karburanteve lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë GFI Albania ka përfunduar në datën 27 shkurt 2023,” thuhet në letrën e nisur e nga kompanitë e tregtimit të naftës.  Në këto kushte ato i kujtojnë qeverisë se tarifa e markimit po u merret në mënyrë të paligjshme.

“Pas shumë kontakteve me autoritetet doganore, detyrohem t’ju drejtohemi zyrtarisht me kërkesë për shkak se po detyrohemi në mënyrë të paligjshme të paguajmë tarifën 614 leke për 1 mijë litra plus Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për llogari të shoqërisë koncensionare “GFI ALBANIA”, thuhet në letrën drejtuar Ministrisë së Financave dhe Doganave.

Sipas kompanive të tregtimit të naftës, edhe pse përfundimi i koncesionit pranohet dhe nga vetë kompania koncesionare GFI Albania, çuditërisht nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Financave.

“Duke u nisur nga këto fakte kërkojme zbatimin e kontratës së koncesionit dhe ndërprerjen e mënjëhershme të pagesës në mënyrë të paligjshme, e cila rrit direkt çmimin për konsumatorët.

Skandali

Skandali se qytetarët shqiptarë po paguanin për një koncesion që kishte përfunduar ligjërisht u publikua për herë të parë nga Oligarkia.al. (Kliko këtu për të lexuar denoncimin).

Por edhe pse tashmë skandali është publik dhe konfirmohet edhe nga vetë kompanitë subjekt i tarifës së markimit, qeveria vazhdon të heshtë. Në korridoret e qeverisë flitet se koncesioni do të zgjatet edhe me 10 vite të tjera.

Vitin e kaluar, kur i kishte mbetur dhe vetëm një vit kontratë, koncesioni i markimit ndërroi pronar duke u shitur nga Ismail Mulleti tek një shtetase turke e lidhur me biznesmenin shqiptar Sinan Idrizi. Shitja e koncesionit vetëm një vit para mbarimit të tij, shtoi dyshimet se qeveria kishte dhënë garancia për zgjatjen e tij edhe me 10 vjet të tjera. Dyshime të cilat janë përforcuar ndjeshëm nga zhvillimet e ditëve të fundit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *