Një muaj pasi shqyrtoi ankesat e Komunitetit Mysliman për disa nene dhe pika të ligjit “Për trajtimin e pronave dhe përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, Gjykata Kushtetuese ka vendosur lënien në fuqi të këtij ligji.
Më pak se 30% e pronave të Komunitetit Mysliman janë kthyer apo kompensuar ndër vite, ndërsa nga ndryshimet e bëra në ligj u pretendua se preken edhe rreth 160 aplikime të tjera, që rrezikojnë të dalin me vlerë negative, apo të konsiderohen të ezauruara. Ndër të tjera, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kishte kundërshtuar edhe një nen të ligjit të miratuar në 2022 në të cilin përcaktohet se indeksimi i faturës së kompensimit do të bëhet deri në momentin e publikimit të vlerës së kompensimit dhe jo deri në momentin që bëhet ekzekutimi i saj, sikundër është rekomanduar edhe nga Gjykata e Strasburgut.
Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës dhe me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës.
Në fillim të muajit nëntor 2023, pas pranimit të kërkesës për shqyrtim nga Kushtetuesja, Agjencia e Trajtimit të Pronës përmes një deklarate vuri në dukje se ishte pezulluar procesi i shqyrtimit për 7000 dosjeve të patrajtuara, ndërsa rrezikohej edhe djegia e fondit të alokuar për këtë vit që llogaritej në vlerën 2.340 miliardë lekë.
Ndërkohë në fillim të vitit 2024, shoqata “Pronësi me Drejtësi”, ka depozituar pranë Kushtetueses ankimimin për shfuqizin e ligjit të rishikuar në vitin 2022, si edhe vendimet e miratuara në zbatim të tij.
Sipas të dhënave zyrtare, nga hyrja në fuqi e ligjit të rishikuar në vitin 2015 e deri në fund të vitit 2023 janë kompensuar 812 familje me një fond rreth 7.9 miliardë lekë, ndërsa janë shpërndarë 717 hektarë tokë nga fondi fizik.
Scan Tv