E treta e vërteta. Pasi e shtyu dy herë, Ministria e Infrastrukturës ka zhvilluar një ditë më parë, tenderin për dhënien me koncesion të autostradës Milot-Balldrenë. Kapitali ka mësuar se në garën e koncesionit janë paraqitur 4 oferta.
Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M janë kompanitë që po përplasen të shtien në dorë kontratën e majme koncesionare, e cila për 35 vjet pritet të arkëtojë plot 1 miliardë euro. Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu, të cilin qeveria ka vendosur që ta ndërtojë të gjithin me koncesion.
Deri tani qeveria shqiptare ka tenderuar 4 segmente të këtij Korridori. I pari, që është realizuar tashmë është autostrada Thumanë-Kashar e ndërtuar me koncesion nga kompania Gener 2. Dy segmentet e tjera nga Kashari deri në Fier janë fituar respektivisht nga Gjoka Konstruktion dhe Fusha, ndërsa aksi nga Thumanë-Milot është fituar sërish nga Gener 2.
Milot-Balldrenë është segmenti i pestë koncesionar. Ai ka një gjatësi 17 kilometër të gjatë dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.
Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.
Por sipas llogarive të planit të biznesit, për këtë periudhë që do të jetë nën zotërimin e privatit, ky aks do të gjenerojë rreth 1 miliardë euro të ardhura nga tarifa e kalimit.
Tarifa bazë e kalimit në rrugën Milot Balldrenë është caktuar 0.12 euro për kilometër. Kjo do të thotë se për të përshkruar të gjithë rrugën me gjatësi 17 kilometër qytetarët shqiptarë do të paguajnë rreth 2.5 euro për çdo kalim duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar.
Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.
Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti.