Në fillim të këtij qershori, portal informativ Italian “Open.online” ngriti dyshimet se ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, është pjesë e një grupi investitorësh që kanë përfituar nga shefi i qeverisë së Tiranës, Edi Rama, leje ndërtimi për fshat turistik në zonën e Himarës.
Megjithatë, portali citon administratoren e kompanisë së Massimo D’Alema-s në Shqipëri, kontabilisten Majlinda Haloçi, e cila i mohon këto zëra.
“Në punën time jam ndjerë gjithmonë shumë e afërt me kompanitë italiane…Në këto kompani përfshihet edhe kompania A&I Albania, në të cilën konfirmoj se nuk kam asnjë përgjegjësi për çështjen në fjalë”, thotë ajo, lidhet me dyshimet e “Open.online” për përfshirjen e ish-kryeministri Italian në një projekt ndërtimi.
“Boldnews.al” avancoi kërkimet mbi dokumenta zyrtare, për të kuptuar më shumë se nga mund të kenë pasur burimin “zërat e përfshirjes së D’Alema-s në projekte ndërtimore”.
Këto “zëra” mund të lidhen pikërisht me emrin e kontabilistes Haloçi, e cila administron kompaninë e Massimo D’Alema-s, por njëkohësisht edhe kompaninë e një tjetër sipërmarrësi Italian, i cili ka marrë leje nga Edi Rama për fshat turistik në Himarë.
Biznesi i D’Alema-s në Shqipëri
Massimo D’Alema është një politikan i njohur Italian, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme shtetërore, ndër të cilët edhe kryeministër në periudhën 1998-2000.
Prej vitit 2023, ai është regjistruar si biznesmen në Shqipëri. Në janar të vitit 2023, D’Alema regjistron shoqërinë e tij “A&I Albania”.
Zyra ka objekt të aktivitetit të saj “Asistencë kompanive dhe konsulencë në favor të personave
fizik dhe juridik në lidhje me kërkimin dhe zbatimin e mundësive të biznesit, veçanërisht në arenën ndërkombëtare, etj”.
Zyra ka selinë në qendër të Tiranës, “Sheshi Skenderbej, Pallati Kulturës, Kati II”, ndërsa administrator e shoqërisë është Majlinda Haloçi.
Kontabilistja Haloçi rezulton që zotëron të paktën 5 kompani të ndryshme, me objekt ekspertizë dhe konsulencë financiare, të gjitha me seli me adresë “Sheshi Skenderbej, Pallati Kulturës, Kati II”, në të njëjtin vend ku është zyra e Massimo D’Alema-s.
Është një praktikë tashmë e konsoliduar që shtetas të huaj, të cilët regjistrojnë biznes në Shqipëri, të emërojnë persona apo entitete me njohuri të posaçme, kryesisht zyra ligjore apo ekspertë kontabël për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre.
Gjithashtu, është praktikë normale që një zyrë ligjore apo ekspert të përfaqësojë apo administrojë shoqërië me pronar të huaj, të cilët jo-domosdoshmërisht kanë lidhje mes tyre.
Megjithatë, në rastin e kontabilistes Majlinda Haloçi, fakti që ajo është administratore e “A&I Albania” të Massimo D’Alemas-s dhe, njëkohësisht, administratore e shoqërisë së sipërmarrësit Italian, Paride Boschetti, duket se ka nxitur “zërat” që përmend media online italiane, “Open.online”.
Leja e Ramës për vilat në Himarë
Bazuar në dokumentat zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ekspertja Haloçi rezulton, ndër të tjera, administratore në shoqërinë “Geosat Group”, me aktivitet projektime e ndërtime.
Shoqëria është krijuar në vitin 2002 me ortak themelues sipërmarrësin Italian, Paride Boscheti. Ndër vite, shoqëria ka ndryshuar aksionerë dhe, prej vitit 2014, Boschetti e zotëron atë 100 përqind.
Gjithashtu, Paride Boschetti rezulton pronar me 100 përqind të aksioneve në shoqërinë “Investment Group”, ku është edhe administrator i saj.
Në 13 Shtator 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, me vendimin nr.15, vendosi “Miratimin me kusht të Lejes së Ndërtimit për objektin: Kompleks Turistik Vila 2 Kat”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k.”.
Sipas lejes së ndërtimit, projektues i kompleksit të vilave është shoqëria tjetër e Paride Boschetti-t, “GeoSat Group”, në të cilën kontabilistja Majlida Haloçi është administrator.
Pak javë më parë, e konkretisht në 25 Prill 2024, KRRT nën drejtimin e Ramës, miratoi vendimin nr. 21, me objekt “Shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit për objektin: Kompleks Turistik Vila 2 Kat”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k.”, miratuar me vendim nr. 15, dt 13.07.2021 të KRRT”
Duket se ky mund të jetë projekti, për të cilin portali italian “Open.online” pretendon se “ka zëra në Tiranë që përfshijnë interesat e Massimo D’Alema-s në industrinë e ndërtimit në Shqipëri”.
Gjithësesi, duhet theksuar se përfaqësuesja e D’Alema-s në Shqipëri, Majlinda Haloçi, e mohoi një pretendim të tillë. Edhe zyrtarisht, zyra “A&I Albania” e ish-kryeministrit Italian, nuk ka në objektin e saj veprimtari ndërtimore, por vetëm konsulencë për investitorë të huaj në Shqipëri.