Daftligji për lojërat e fatit është rishikuar nga Ministria e Financave e cila ka reflektuar propozimet e bëra nga deputetët dhe është diskutuar sërish në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ndryshimet në draft sjellin kritere më të forta për licencimin e kompanive të basteve sportive, duke i dhënë avantazh atyre që ofrojnë më shumë.
Vasilika Vjero, Zv.Ministre e Financave: “Drafti ka pësuar ndryshime. Janë riparë kriteret për kompanitë që duhet të licencohen. Licencat fillojnë nga një nivel minimal dhe kush ofron me shumë do të ketë avantazh me shumë. Ulet fasha e atyre që luajnë për bingon televizive nga 21 ne 18 vjeç. Është draft shumë më i kompletuar, garanton ulje informaliteti, kritere me te forta licencimi dhe sistem transparent te pikëzimit dhe në përzgjedhjen e kompanive..
Ndërsa sa i takon propozimit për kazinotë online, Ministria e Financave nuk është dakordësuar me të.
Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë: “Përsa kohe janë informale, propozimi im ka qenë kazinot online te jenë pjesë e ligjit dhe t’u jepet mundësia kompanive që do të aplikojnë për licenca që të ofronin dhe kazino online. Te parashikohet të formulimin e ligjit te ri. Por s’ka pasur dakordësi nga përfaqësuesit e financave ne lidhje me kazinot online”.
Drafti i rishikuar do të kalojë sërish për diskutim në komision në fillim të javës së ardhshme dhe është parashikuar të miratohet në seancën plenare të datës 8 Shkurt.