30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kosto 850 euro/metri katror/ Ekspertët shpjegojnë se pse shiten dyfish banesat

Çmimet e apartamenteve në Tiranë si dhe në zonat bregdetare vijojnë të njohin shtrenjtim. Gjatë muajve të parë të 2024, në zonat periferike të Tiranës, është shënuar rritja më e fortë e çmimeve të shitjes së apartamenteve. Tendencë në rritje ka pasur edhe te pronat në zonat qendrore. Por ky çmim a është në raport të kërkesës për këtë treg? Për SCAN ndërtuesi Artur Roshi ka thënë se kosto për 1 metër katror ndërtim varion nga 700-850 euro, prandaj nuk duhet të abuzohet me çmimet.

“Kostua varion nga 700-850 euro/m2, duke përfshirë pronarë, taksa e çdo gjë. Ti nuk mund ta marrësh dhe ta shesësh 2-fish, sepse ndërtimi nuk është thjesht tregti, aq më tepër kur flasim për njësi të sipërfaqes, që do të thotë se milionat aty janë të shumta. Është mekanizmi i ekonomisë së tregut që duhet të funksionojë në bazë të kërkesë-ofertës”- thotë ndërtuesi dhe inxhinieri Artur Roshi.

Ndërsa Armand Shkembi, administrator i një agjencie imobiliare thotë se çmimet janë rritur fiktivisht, por pritshmëritë sipas tij janë për ulje të çmimeve në vitet 2025-2026

“Fundi i Bulevardit-Paskuqan është në çmimet 900-1000 euro/metër, ndërsa të tjerat madje dhe zona e Astirit që ka qënë 1000, ka shkuar 1200-1300/metër. Pra sa më afër qendrës, “qielli’’ është limiti. Nga Durrësi e Shëngjini është 1300-1500 m2, Dhërmiu fillon nga 2500- 4500 euro metri katror”- thotë Shkembi.

Sa i takon sigurisë, Roshi dhe Shkembi kanë thënë se me përmirësimin e legjislacionit cilësia është rritur.

“Pallatet e ndërtuara më përpara kanë tjetër standard, dallohen në çdo element. Dhe unë ju them klientëve, pra ata që kanë blerë shtëpinë gjatë viteve 2000, shite dhe bli këto pas 2019”- shton Shkembi

“Sa i përket kostruksionit që mos kemi panik me njerzit, nga ana kostruktive, tërmeti këtë tregoi që ndërtesat e projektuara me inxhinierë dhe po flasim për ata të larta, treguan qendryeshmëri, të tjerat u rrëzuan. Unë then se cilësia e ndërtimit ka rritur performancën” – shton Roshi.

Sipas Shkembit, në Tiranë janë 52 mijë apartamente që janë blerë nga emigrantët që jetojnë jashtë.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *