27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KPP si çertifikatë korrupsioni, kurseu vetëm 1 mln euro në tendera

Komisioni i Prokurimit Publik raportoi në Parlament se vendimarrja e tij i kurseu rreth 116 milionë lekë buxhetit të shtetit gjatë vitit të kaluar. Sipas KPP, kjo vlerë është diferenca mes ofertave ekonomike më të larta të shpalluara fituese nga autoritetet kontraktore dhe atyre të shpalluara fituese nga KPP pas ankimimit.

Edhe pse kreu i komisionit, Jonaid Myzyri, e listoi këtë si një nga treguesit e arritjeve të KPP, shifra që është pak më shumë se 1 milionë euro është në fakt dëshmi e dështimit mizerabël të këtij institucioni për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe shndërrimit të tij në çertifikuesin e korrupsionit që ndodh me tenderat publikë. Kjo pasi KPP, në pjesën dërrmuese te vendimarrjes lë në fuqi ofertat e shpallura fituese nga autoritetet kontraktore edhe kur ato kanë vlera më të larta. 

Miliarda pa garë

Vitin e kaluar, institucionet publike në Shqipëri prokuruan rreth 1.2 miliardë euro tendera publikë në total. Nga këta, mbi 220 milionë euro u dhanë në tendera të mbyllur, sidomos në procesin e rindërtimit, por edhe kontratat sekrete në fushën e mbrojtjes dhe atë të sektorit të IT.

Edhe pse besimi i bizneseve tek KPP është i ulët, vitin e kaluar kompanitë shqiptare ankimuan 532 procedura prokurimi pranë këtij institucioni. Sipas raportit vjetor, Komisioni është shprehur me vendim për 492 prej tyre të cilat lidhen me fazën e vlerësimit të ofertave, me fond limit 18 miliardë lekë ose mbi 161 milionë euro.

“Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik i janë kursyer buxhetit të shtetit, rreth 115,9 milionë lekë pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik,” thuhet në raport.

Në një sistem prokurimesh ku pjesa më e madhe e tenderave fitohen nga ofertat më të larta, ku autoritetet kontraktore mbyllin garën përmes kritereve përjashtuese, KPP ka arritur t’i kursejë buxhetit të shtetit vetëm 1 milionë euro. Dhe për krahasim buxheti vjetor i KPP është 820 mijë euro. Kështu që financiarisht për qytetarët shqiptarë do të ishte njësoj, si Komisioni të ekzistonte ashtu dhe po mos të ekzistonte.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *