27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Krijohet shoqëria publike që do të mbledhë tarifat e kalimit në rrugë

Qeveria ka krijuar kompaninë publike, e cila do të menaxhojë pagesat e kalimit të qytetarëve në rrugë. Teksa për disa akset kombëtare parashikohet aplikimi i pagesës për kalimin, qeveria ka ngritur Entin Kombëtar të Operimit Rrugor, që do të ofrojë shërbimin.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë parashikon krijimin e shoqërisë, teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve. Sipas vendimit, EKORR ka si objekt të veprimtarisë jo vetëm operimin e rrugëve me pagesë, por edhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së operimit, siç janë vendet e pagesës, prodhimin dhe shpërndarjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) për përdoruesit e rrugëve me pagesë, arkëtimin e tarifës, etj.

Po ashtu, kjo shoqëri do të ketë si objekt të punës edhe monitorimin dhe koordinimin e shërbimit të operimit në rrugët me pagesë, operimi i të cilave kryhet nga shoqëritë koncesionare përkatëse. Kjo, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në kontratat përkatëse të koncesionit.

Sipas vendimit, për rrugët me pagesë, të cilat nuk janë në kontrata koncesioni dhe mirëmbahen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, EKORR do të lidhë marrëveshje të veçantë me Autoritetin Rrugor Shqiptar për kryerjen e veprimtarive. Në marrëveshjen e veçantë, ndër të tjera, parashikohen dispozita për arkëtimin e tarifës dhe të ardhurave të tjera nga operimi i rrugës, si dhe për tarifën që EKORR, përfiton për kryerjen e veprimtarive përkatëse. Kapitali fillestar i shoqërisë do të jetë 50 mln lekë, ndërsa më pas aktiviteti i saj do të financohet nga të ardhurat e veta.

Një pjesë e rrugëve kryesore të vendit, si ajo Tiranë-Durrës, tuneli i LLogarasë, por edhe akse të tjera pritet që të bëhen me pagesë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *