28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Krim mjedisor: Landfilli i Sharrës ‘i nxjerr ujin e zi’ lumit të Erzenit

Reporter.al

Pasditen e 19 janarit 2022, dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbërritën në landfillin e Sharrës në periferi të Tiranës për të verifikuar një ankesë dhe e gjetën kompaninë koncesionare në shkelje ligjore.

Sipas raportit të inspektimit, që BIRN e disponon, kompania Integrated Energy B.V SPV nuk kishte instaluar impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura dhe i shkarkonte ato  në mënyrë të pakontrolluar në basenet ujore pritëse.

Agjencia e konsideroi episodin si kundravajtje administrative dhe e urdhëroi kompaninë që të pezullonte aktivitetin e shkarkimeve të lëngëta, deri në vendosjen në punë të impiantit. Ajo e penalizoi gjithashtu kompaninë Integrated Energy me një gjobë prej 1 milion lekësh dhe e quajti problemin të mbyllur.

Por një vit e gjysmë më vonë, BIRN dokumentoi se kompania koncesionare e landfillit të Sharrës vazhdon t’i shkarkojë ujërat e ndotura të dekompozimit të mbetjeve në lumin e Erzenit – çka përbën sipas ekspertëve një shkelje shumë të rëndë të standardit mjedisor me pasoja afatgjata në mjedis dhe shëndetin e njerëzve.

Në fillim të qershorit, BIRN filmoi një rrjedhë me ujë të zi dhe erë kalbësire që zbret për gati 1 kilometër nga kodra ku ndodhen pirgjet e plehrave brenda rrethimit të landfillit të Sharrës. Uji i zi shkarkohet fillimisht në një kanal tjetër me ujë dhe derdhet më pas në Erzen, ku ndotja në ngjyrë të zezë dallohet me sy të lirë prej së largu.

Ekspertët e mjedisit e identifikojnë lëngun e zi si liksiviatë –ujë i ndotur dhe i patrajtuar që shkaktohet nga procesi i dekompozimit të mbetjeve urbane. Sipas Rodion Gjokës, kreut të departamentit të mjedisit në Institutin Co-Plan, liksiviata i dëmton jashtë mase trupat ujorë sipërfaqësorë sapo bie në kontakt me to.

“Ka përqendrim të lartë të karbonit organik, si pjesë e procesit të dekompozimit, ka përqendrim të lartë të azotit, ka përqendrim të lartë të  toksinave dhe më e dëmshmja, ka prezencë të lartë metaleve të rënda,” shpjegoi Gjoka për BIRN.

është pjesë e kontratës koncesionare mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Integrated Energy B.V SPV dhe vendi ku depozitohen mbetjet urbane të zonës më të populluar të Shqipërisë – përfshirë bashkinë e Tiranës dhe atë të Durrësit.

Kontrata koncesionare është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e aferës së inceneratorëve, por qeveria shqiptare ka këmbëngulur që të vazhdojë pagesat për kompaninë Integrated Energy. Kompania ka marrë deri tani rreth 60 milionë euro përmes tarifës së depozitimit të mbetjeve nga bashkitë e qarkut, por inceneratori nuk është ndërtuar ende.

E pyetur nga BIRN nëse kompania “Integrated Energy” e kishte zbatuar urdhrin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, AKM, kjo e fundit u përgjigj: “nuk kemi informacion, pasi nuk është kryer një inspektim i dytë”.

Drejtuesja e Agjencisë, dhe ministrja e Mjedisit, nuk pranuan kërkesat për intervistë mbi ndotjen e shkaktuar nga kompania koncesionare e landfillit të Sharrës. Edhe kompania Integrated Energy B.V SPV nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

“Ndotja shkon në zinxhirin ushqimor”

Liksiviata e landfillit të Sharrës derdhet përmes një kanali në lumin e Erzenit. Foto: Xhemali Moku.

Lumi i Erzenit buron nga Shëngjergji, rreth 25 kilometra në lindje të Tiranës, dhe derdhet në Gjirin e Lalzit në veri të Durrësit. Në zonën mes Tiranës dhe Durrësit, ujërat e Erzenit përdoren për vaditje dhe peshkim.

Në afërsi të fshatit Ndroq buzë Erzenit, banorët e kanë të qartë se nga buron ndotja.

Një peshkatar rreth të 50-ave, i veshur me një bluzë me simbolet e Partisë Demokratike, kërkoi të mos identifikohej, pasi tha se “kishte frikë nga hakmarrja”. Por ai i tha BIRN se nuk peshkonte asnjëherë poshtë rrjedhës që vinte nga landfilli.

“Peshkimi në këtë zonë është gjithmonë e më i vështirë. Zakoni më sjell këtu, sepse nuk ka më peshk,” tha ai.

Të njëjtën panoramë jep dhe , një banor i zonës së Ndroqit, disa kilometra poshtë landfillit të Sharrës. Sipas tij, fermerët e zonës përdorin ujin e lumit për vaditje, por gjatë periudhës së verës kur prurjet janë të pakta, uji bëhet i papërdorshëm, pasi ndotja është shumë e dukshme.

“Ky ujë ikën deri në Shijak tek serat, por ndotja është ndotje nuk mund të themi se nuk bën dëme,” tha Brahja. “Tani përdoret se ka ujë shumë, i ndotur është, por ngaqë ka shumë ujë, ndotja duket më pak,” shtoi ai.

është një nga sfidat kryesore mjedisore të Shqipërisë për shkak të dy rreziqeve kryesore; djegies së pakontrolluar dhe liksiviatave që krijohen nga procesi i kompostimit dhe korredimit.

Ndërsa djegia e pakontrolluar emeton dioksina dhe komponentë të tjerë të dëmshëm kimikë në ajër, liksiviatat rrezikojë sipërfaqet ujore dhe tokësore përmes shkarkimit të metaleve të rënda, të cilat kalojnë më pas në zinxhirin ushqimor.

Ekspertët thonë se në rastin e landfillit të Sharrës, rreziku është edhe më i madh jo vetëm për sasinë e stërmadhe të tonelatave të mbetjeve, por edhe për faktin se ato nuk diferencohen.

“Aktualisht në landfillin e Sharrës nuk kemi ndarje në burim të mbetjeve të rrezikshme. Këtu kemi parasysh bateritë, pasi të gjithë i hedhin në koshin e plehrave dhe ato përfundojnë në landfill, por edhe metale të tjera të rënda,” tha aktivisti mjedisor, .

“Këtu kemi dhe një problem tjetër, që me këtë ujin e Erzenit ku shkarkohen këto ujëra të ndotura përdoret nga banorët e zonës për vaditje. Kjo afekton dhe zinxhirin ushqimor, pasi nga vaditja kalon tek bimët, dhe më pas shkojnë në zinxhinin ushqimor të njeriut,” shtoi Ferruni.

Eksperti bie dakord, ndërsa thekson se rasti i ndotjes së Erzenit tregon se shteti shqiptar nuk e ka nën kontroll trajtimin e mbetjeve urbane, ndonëse ka shpenzuar miliona euro për këtë proces.

“Kemi gati gjysmë miliardë euro që janë pompuar në sistemet e menaxhimit të mbetjeve dhe jemi sërish në fazën, ku kemi një grumbullim më të mirë të mbetjeve në disa qytete kryesore, por menaxhimi dhe drejtimi final është siç ka qenë, këtu e historikisht,” tha Gjoka.

Gjoba në proces ekzekutimi  

Impianti i trajtimit të ujërave të ndotur në landfillin e Sharrës. Foto: Xhemali Moku.

Shqipëria ka miratuar prej dy dekadash një ligj për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura, i cili parashikon një sërë sanksionesh administrative në rastet kur ngjarja nuk klasifikohet si vepër penale.

Pas inspektimit në landfillin e sharrës më 19 janar 2022, Agjencia Kombëtare e Mjedisit konstatoi se kompania kishte shkelur pikat c dhe d të nenit 23 të ligjit, duke mos kryer trajtimin parësor të shkarkimeve të lëngëta si dhe mosinstalimin dhe vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN e pyeti Agjencinë Kombëtare të Mjedisit nëse kompania koncesionare e kishte kundërshtuar gjobën prej 1 milion lekësh dhe nëse kjo e fundit ishte ekzekutuar.

AKM u përgjigj se kompania nuk e kishte kundërshtuar gjobën dhe se ajo ishte në proces ekzekutimi.

“Për aq kompetencë dhe dijeni sa kemi, ju informojnë se kompania Integrated Energy BV SPV nuk ka kundërshtuar vendimin përfundimtar të inspektimit, për rrjedhojë duke zbatuar afatet ligjore, ARM –Tiranë, Durrës, Dibër ka dërguar në gjykatë kërkese për udhër ekzekutimi…,” tha ARM në përgjigjen me shkrim.

Sipas përgjigjes, kërkesa për urdhër ekzekutimi ishte bërë më 16 maj 2022 ose katër muaj pas raportimit të inspektimit.

ARM i tha gjithashtu BIRN se më 6 shtator 2022, i kishte kërkuar gjykatës një kopje të vendimit të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit.

“Me përgjigjen e saj, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka informuar se çështja është ende në gjykim pranë kësaj gjykate,” tha ARM.

Sipas ekspertëve të mjedisit, ndotja e shkaktuar nga landfilli i Sharrës demaskon sistemin e çalë të monitorimit dhe ndëshkimit të krimeve mjedisore në Shqipëri.

Aktivisti Lavdosh Ferruni i tha BIRN se gjoba duhej të ishte elementi i parë, ndërsa çështja duhej të ndiqej në vazhdim.

“Në një hap të dytë në mosrespektimin  e detyrave të vëna në procesin e gjobvënies, masat duhet të shkojnë deri në penalizim. Normalisht kjo mund të quhet edhe një vepër kriminale, pasi ka të bëjë me shëndetin e njeriut dhe ndotje afatgjatë,” tha Ferruni.

Ndërkohë, Rodion Gjoka nga Instituti Co-Plan thotë se masa e dënimit shërben shpeshherë si incentivë për të vijuar shkeljet.

“Fakti që kompania në fjalë paguan një milion lekë për një ndotje e cila shkoi 10 fish apo 100 fish më tepër në kosto, atë si operator ekonomik e bën shumë të lumtur dhe e orienton të zgjedhë kostot oportune më të lira,” tha Gjoka për BIRN.

“Pra të ndotë mjedisin e të paguajë një gjobë të arsyeshme sesa të vërë në punë impiantin e trajtimit të ujërave, që do të ketë kosto më të larta,” përfundoi ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *