28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Kriminalizimi i ekonomisë, këmbana e alarmit që Dumani po i tund vetes

Klodian Tomorri

Publikimi në media i dosjes hetimore të organizatës kriminale Çopja konfirmoi për të disatën herë një risk që tashmë është në sytë e të gjithëve. Ky është penetrimi masiv i parave të krimit në aktivitetin ekonomik të vendit dhe si rrjedhojë kriminalizimi i ekonomisë kombëtare.

Vetë dosja hetimore e SPAK pohon se vetëm në vitin 2020, grupi kriminal i Çopjave ka sjellë në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro, të cilat janë investuar në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Nënë Tereza, blerjen e apartamenteve në kullat e Tiranës si dhe në ndërtimin e kompleksit të vilave Mandarin pas Qendrës Tregtare TEG, përmes kompanisë Merkaj 3.

Nëse një grup i vetëm kriminal, në një vit të vetëm, arrin të investojë 7.5 milionë euro para me burim aktivitetin kriminal, pyetja që duhet të shqetësojë të gjithë është vetëm një; sa grupe të tjera kriminale bëjnë të njëjtën gjë dhe sa është shkalla e këtij fenomeni në ekonomi?

I pyetur në komisionin e ligjeve nga Damian Gjiknuri për këtë çështje, kreu i SPAK, Altin Dumani pranoi se grupet kriminale shqiptare që ushtrojnë aktivitet jashtë e shikojnë Shqipërinë si një atraksion për të pastruar produktet e tyre kriminale. Ky pohim në vetvete tregon se fenomeni nuk është i izoluar vetëm tek Çopjat, Merkajt, Gjokat strategjike dhe Bamë e kullave në Bllok, por është i gjerë. Dhe kjo ka implikime katastrofike për ekonominë.

Problemi kryesor me penetrimin e parave kriminale në ekonomi është efekti i spirales infektive. Ato kanë karakteristikat e bacileve, që shumëfishohen në progresion dhe gjatë këtij procesi vrasin qelizat e shëndetshme. Nëse një kompani ka 7.5 milionë euro para të gatshme për të investuar në ndërtim, cili biznes i ndershëm mund ta konkurrojë atë?

Për një sipërmarrje të ndershme, sigurimi i 7.5 milionë eurove ka të paktën 500 mijë euro kosto kapitali në vit. Dhe në një projekt që e ka ciklin e investimit 7 vjet, fatura e ndershmërisë është të paktën 3.5 milionë euro dizavantazh në kosto. Sepse para kriminale e ka zero koston e kapitalit.

Pra, kjo është një garë me fund të njohur, të cilën bizneset e ndershme e kanë të humbur që në nisje. Thjesht për shkak të logjikës ekonomike, pa përmendur faktorët e tjerë si kërcënimet, shtrëngimet apo shantazhi që krimi ushtron mbi sipërmarrjen korrekte.

Nuk është rastësi, që disa nga kompanitë më të vjetra të ndërtimit në Shqipëri tashmë kanë dalë nga tregu ose kanë humbur peshën e tyre. Ato që kanë mbetur janë para presionit konstant për të bashkëpunuar me krimin ose të dalin nga tregu. E megjithatë kjo nuk është e keqja e vetme.

Efekti i dytë shkatërues i parave të krimit është infektimi i shoqërisë direkt ose indirekt. Herët a vonë ato para mbërrijnë në kontot e politikanëve, punonjësve të shtetit, ekonomistëve, politikanëve, inxhinierëve, gazëtarëve e madje dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve. Merkaj për shembull rezultojnë të kenë politikanë në librin e tyre të pagesave. Kjo është këmbana e alarmit që po i tundet Shqiërisë.

Zoti Dumani deklaroi se SPAK nuk po rri duarkryq para këtij rreziku dhe ka rritur në progresion hetimet për pastrimin e parave gjatë viteve të fundit. Por të paktën deri tani krimi duket se nuk po trembet nga hetimet e SPAK. Për këtë mjafton të shihen vetëm lejet e ndërtimit të miratuara në mbledhjet e fundit të Këshillit të Territorit. Një pjesë e madhe e tyre janë për kompani anonime, të cilat kanë nga pas persona me background kriminal ose njerëz të lidhur me ta. Ndërsa pjesa më e madhe e bregdetit në Jug tashmë është në duart e krimit.

Kriminalizimi i ekonomisë në këtë shkallë ka vetëm dy zgjidhje. Ose do t’u biesh fort grupeve kriminale ose do ta shndërrosh vendin në parajsë krimi. Sot Shqipëria është drejtuar tek e dyta. Krimi sot në Shqipëri ndan tenderat, dikton koncesionet dhe ngre resortet në bregdet. Njësoj si në Ekuador. Madje në disa aspekte Shqipëria ja ka kaluar edhe Ekuadorit.

Në Quito, kulla më e madhe deri tek kati i 32-të ka mbërritur. Në Tiranë po shkon tek kati i 100-të. E vetmja gjë e përbashkët janë arkitektët. Edhe atje janë të njëjtët arkitektë të mëdhenj ndërkombëtar që po i projektojnë duke filluar nga danezi i Teatrit të Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *