2 Janar, 2025
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Kuçedra Bankers/ Si u rrëmbyen 4 miliardë euro nga nafta e Patos Marinzës pa asnjë lek tatim fitimi për shtetin

Rrëmbimi i një prej pasurive më të mëdha publike të shqiptarëve, naftës së Patos Marinzës, tashmë është aq flagrant sa që nuk mbulohet dot më as me manovra në bilancet financiare.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2006 e deri në fund të vitit të kaluar, kompania Bankers Petroleum ka realizuar 4 miliardë  euro të ardhura neto, pa përfshirë rentën minierare, nga shitja e naftës në Patos Marinzë.

Për të njëjtën periudhë, kompania që tani zotërohet nga kinezët, ka deklaruar rreth 800 milionë euro fitime neto. Por pavarësisht këtyre shifrave, kompania që la pas vitin e 20-të të shfrytëzimit të vendburimit të Patos-Marinzës, nuk ka paguar asnjë lek tatim mbi fitimin për buxhetin e shtetit.

Bankers Petroleum vijon të deklarojë se ende nuk ka rekuperuar plotësisht kostot për shfrytëzimin e vendburimit, edhe pse kompania ka arkëtuar lumenj parash nga shitja e naftës.

Dhe teksa shteti duket i pafuqishëm për të disiplinuar shpenzimet në letra të kompanisë, pasoja është rrëmbimi i miliarda eurove duke lënë pas vetëm puset e ndryshkur, mjedisin e helmuar dhe vendburimin e tharë.

Faktori magjik r
Sipas marrëveshjes koncesionare mes qeverisë dhe Bankers Petroleum, kompania kanadeze do të shfrytëzojë vendburimin e Patos Marinzës pa pagar tatim fitim deri në momentin që ajo të rekuperonte plotësisht kostot e investuara, ose ndryshe i ashtuquajturi faktori r të dilte mbi 1.

Pasi të arrihej kjo vlerë, atëherë kompania do të paguante tatim fitimi në masën 50 për qind. Pra fitimi nga shfrytëzimi i naftës do të ndahej gjysmë për gjysmë me shtetin shqiptar.

Vetë Bankers kishte planifikuar që faktori R>1 të arrihej që në fund të vitit 2013 dhe rrjedhimisht kompania të niste pagesën e tatimit mbi fitimin në shtet, por kjo u shty tre herë.

“Pas shtyrjes në vitin 2013, në angazhimet e kontraktorit ishte parashikuar që faktori R>1 do të arrihej brenda vitit 2015, por në të vëretëtë kjo vlerë nuk është arritur as në vitin 2016,”-thuhej në një raport të KLSH-së të para disa viteve.

Megjithatë pas 2016, kaluan dhe 8 vjet të tjera. Por faktori r nuk u ngjit asnjëherë në vlerën 1, edhe pse Bankers ka fituar miliarda nga nafta. Kjo e bën këtë një nga rastet unikale, ku një vendburim i gatshëm nafte shfrytëzohet për plot 20 vjet nga një privat, pa paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.

E vetmja taksë që Bankers paguan në shtet është renta minerare, e cila është sa 10 për qind e prodhimit bruto. Por shumë që kompania ka paguar për këtë taksë është shumë më e vogël se sa fitimi që ajo ka vetëdeklaruar në këto vite.

Vetëm dy vitet e fundit kompania ka regjistruar mbi 110 milionë euro fitime neto, ndërkohë që paratë nuk dihet se ku shkojnë.

Me shumë gjasa, rekordi i Bankers do të thellohet më tej. Kompania po shkon drejt përfundimit të koncesionit 25 vjeçar dhe me shifrat e raportuara së fundmi, ekziston rreziku që r të mbetet poshtë nivelit 1 deri në fund të koncesionit.

Kjo e bën Patos Marinzën, një nga pasuritë më të mëdha publike të shqiptarëve, ndoshta mallkimin më të madh të tyre. Sepse miliardat e fituara nga ajo pasuri u tretën me manovra bilancesh, fatura offshore, vjedhjet e menaxherëve dhe tek nënkontraktorët që deklaronin fitime marramendëse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *