2 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Kujdes shëndetësor të përballueshëm në vend të kujdesit shëndetësor falas!

Irena Beqiraj

Ndërhyrja e qeverisë në sektorin e ofrimit të shërbimit shëndetësor falas shpesh argumentohet me faktin se shërbimi shëndetësor është investim në kapitalin njerëzor, i cili kontribuon në rritjen ekonomike. Një argument tjetër edhe më bindës që përdoret për të justifikuar angazhimin e qeverive në “ofrimin e kujdesit shëndetësor falas” mbështetet në nocionin se shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut dhe askush nuk duhet te privohet nga aksesi në shërbimet mjekësore.

Padyshim të gjitha këto janë argumente tërheqëse por një analogji e thjeshtë me ushqimin apo banesat e godet rëndë besueshmërinë e tyre. Besoj se të gjithë dakortësojmë se ushqimi është sa një e drejtë themelore e njeriut, po aq i rëndesishëm sa shëndeti, për të mos thënë më shumë. Banesa po ashtu është një e drejtë themelore e njeriut.

Megjithatë sigurimi i ushqimit apo banesave është lënë në dorë të individin. Ka programe qeveritare për njerëzit në nevojë , por ndërhyrjet e qeverive për sigurimin e ushqimit apo baneses janë shumë më të vogla krahasuar me ndërhyrjet në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Ka një arsye të qartë për këtë asimetri dhe ajo është thjesht politike.

Pjesa më e madhe e votuesve, mundet që ta përballojnë ushqimin, por njëjta gjë nuk është e vërtetë për kujdesin shëndetësor. Ndërkohë që shëndeti është ngacmues emocional më i fortë për njerëzit sesa posedimi i një banese. Ndaj premtimi për “shërbim shëndetësor falas” ka rezultuar “një kartë” e fortë politike.

Ne shqiptarët jemi dëshmimtarë se si socializmi, një sistem ekonomik joefikas, çnjerëzor dhe moralisht i falimentuar mundi të zgjaste me dekada jo sepse ofronte ushqim falas por iluzionin e sigurisë ekonomike universale me anë të sigurimin të strehimit, kujdesit shëndetësor apo shërbimeve e tjera bazë sociale falas.

Po t’u hedhim nje sy sistemeve që tentojnë mbulim universal të shërbimit shëndetësor, ato kanë vecoritë e tyre të ndryshme. Shpenzimet për kujdesin shendetesor variojnë qoftë si përqindje e PBB-së, qoftë si përqindje mbi shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Niveli i mbulimit të shpenzimeve po ashtu varion por askund nuk është 100%. Në secilin prej tyre burokracia funksionon ndryshe, kohët e pritjes janë të ndryshme dhe rregullat e aksesit janë të ndryshme. Megjithatë, në aspektin ekonomik, sistemet ndajnë saktësisht të njëjtën karakteristikë: përgjithësisht dikush tjetër e paguan faturën!

Mendoni për një moment nëse njerëzit do ta paguanin nga xhepi trajtimin mjekësor në të njëjtën mënyrë sic paguajnë për makinën, ushqimin ose për çatinë mbi kokë. Ky fakt do t’i inkurajonte të bënim një sërë pyetjesh si: “a ka një mënyrë më të lirë e cila mund të funksiononte?

A mund të marr një trajtim me vlerë më të ulët diku tjetër?

Madje duke pasur parasysh që shëndeti (përtej faketorëve genetik) është përgjegjësi individuale, mbulimi i kostove të shërbimit shëndetësor mund të na shtynte të kursenim më shumë, të pinim më pak duhan apo alkol, të ushqeheshim më mirë e të ushtroheshim më shumë.

Së dyti edhe pse idea se shërbimet shëndetësore janë falas na pëlqen të gjithëve, fatkeqësisht ato nuk janë falas. Qytetari mesatar paguan për to dhe paguan shumë. Qytetari paguan për obezitetin e një grykësi të padisiplinuar, për tumorin e mushkërive të një duhanpirësi, për mëlçinë e dëmtuar të një alkolizuari edhe në vende si Shqipëria, ku shërbimi falas nuk është i mjaftueshëm. Por ai paguan edhe për të kënaqur “lakminë për tu pasuruar brenda natës” të zyrtarëve, mjekëve farmacistëve edhe infermierëve.

Së treti është e rëndësishme që të kuptojë që në “sistemet e ofrimit të shërbimeve shëndëtsore falas kostot janë gjithmonë në rritje. Shikoni teknologjinë mjekësore, ndërsa çmimi i teknologjive të tjera tenton të bjerë çmimi i teknologjive mjekësore vazhdon të rritet. E pra për sa kohë që pacientët nuk kanë asnjë shtysë për të kërkuar cmim më të mirë përtej cilësisë, rritja e kostos është e pashmangshme.

Për më tepër, fakti që operatorët privatë të ofrimit të shërbimeve mjeksore mund të përdorin të njëjtat burime njerëzore me ofruesin publik, eleminon cdo mundësi për konkurencë. Mjekët e spitaleve shtetërore jane kthyer në agjentë shitjeje për shërbimet e ofruara tek operatorët privatë duke eleminuar keshtu cdo mundësi për të ulur kostot.

Në këto kushte nuk ka asnjë mënyrë për t’ju dhënë shërbim cilësor falas të gjithëve. Ai do të jetë gjithmonë i pamjaftueshëm edhe sërish do të shërbehet më shpejt e më mirë ai që ka mundesi të paguajë më shumë, ku i pamunduri do të mbetet sërish i pashërbyer.

Dikush duhet të jetë në gjendje të thotë me zë të lartë se sistemi i kujdesit shëndetësor falas, nuk është i shëndetshëm, nuk është i kujdeshëm, por c’është më e keqja nuk është as sistem.

Pas 80 vitesh që provojmë në kuriz mizerabilitetin e kujdesit shëndetësor falas, duhet të refuzojmë cdo politikëbërës që na e premton atë. Në vend të tij duhet të kërkojmë të ndërtojmë një sistem shëndetësor të përballueshëm për të gjithë, i cili promovon përgjegjësinë individuale për shëndetin dhe shmang mbështetjen e tepërt tek shteti; angazhon konkurrencën dhe forcat e tregut për të përmirësuar shërbimin dhe për të ulur koston.

Një sistem ku shteti ndërhyn drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor vetem kur është e nevojshme, pra tregu nuk arrin të mbajë kostot e kujdesit shëndetësor të ulëta; e mbi të gjitha shteti është i vetëdishëm mbi kapacitetet e tij të subvencionimit duke përcaktuar qartë se cilat shërbime do të subvencionojë edhe cilat janë shtresat që mund të mbështeten gjerësisht në subvencionimet e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *