30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Kulisat e një lufte brenda llojit/ Si u paralizua njësia e mbikqyrjes së inceneratorit

Klodian Tomorri

Dy muaj pasi qeveria firmosi koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e njësisë së zbatimit të projektit (NJZP), e cila do të mbikqyrte ecurinë e ndërtimit të inceneratorit. Tenderi për koncesionin e inceneratorit ishte zhvilluar nga ministria e Mjedisit, por dy muaj pas nënshkrimit të kontratës, qeveria kishte ndryshuar autoritetin kontraktor duke caktuar ministrinë e Infrastrukturës.

Sipas urdhrit të Gjiknurit, numër 178 me datë 6 nëntor 2017, Njësia e Zbatimit të Projektit përbëhej nga 5 vetë. Ata ishin Miranda Lila, Artan Leskoviku dhe Ada Oseku si përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe Ilda Qazimllari dhe Ernis Toska si përfaqësues të Bashkisë Tiranë. Por ky urdhër do të rezultonte jetëshkurtër, pasi vetëm një muaj më pas u ndryshua sërish. Në dhjetor 2017, përmes një urdhri të ri ndryshohen dy anëtarët e parë të NJZP, zonja Lila dhe zoti Leskoviku duke u zëvendësuar me dy emra të tjerë. Këta ishin Pëllumb Abeshi nga ministria e Mjedisit dhe Arben Kaçorri nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, institucion ky po në varësi të MIE. Tre anëtarët e tjerë mbeten të njëjtët.

Urdhri i Damian Gjiknurit per ngritjen e NJZP

Për shkak të eksperiencës, zoti Abeshi caktohet si kryetar i njësisë së zbatimit të projektit. NJZP funksionoi rregullisht deri në nëntor të vitit 2020, kur përmes një emaili zoti Abeshi njofton dorëheqjen nga funksioni i kryetarit dhe largimin e tij nga Njësia e Zbatimit të Projektit me argumentin se kishte nisur punë si pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Nga ky moment nis paralizimi i njësisë që duhet të mbikqyrte ecurinë e ndërtimit të inceneratorit.

Sipas kontratës koncesionare, NJZP kishte dy funksionte kyç në mbikqyrjen e zbatimit të ndërtimit të inceneratorit të Tiranës. Ajo shyrtonte raportet e situacioneve që dërgonte një herë në tre muaj supervizori i kontratës mbi ecurinë e punimeve dhe mbi këto situacione informonte përmes memove të përmbledhura ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e autoritetit kontraktor. Ndërsa funksioni i dytë ishte ai, që kjo njësi mund të bënte inspektime fizike në Sharrë për të parë edhe vetë ecurinë e punimeve dhe cilësinë e tyre.

NJZP del jashtë loje
Një ditë pas njoftimit të dorëheqjes së zotit Abeshi, anëtarja e NJZP, Ada Oseku, e cila ishte përfaqësuese e ministrisë së Infrastrukturës, njofton me shkresë zyrtare ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe sekretaren e Përgjithshme Viola Haxhiademi për sa kishte ndodhur, duke i kërkuar ministres të marrë masa.

“Kryetari z. Pëllumb Abeshi është larguar nga institucioni që përfaqëson duke e bërë të pamundur mbledhjen dhe funksionimin e NJZP. Për sa më sipër, në fazën ku ndodhet zbatimi i kësaj kontrate dhe problematikat e dala gjatë monitorimit të saj, lutemi mendimin tuaj për zëvendësimin e z. Abeshi si dhe rikompozimin e NJZP me specialistë të strukturës në fushën e mbetjeve dhe një jurist” thuhet në shkresën me datë 11 nëntor 2020, që zonja Oseku i dërgon ministres Balluku dhe sekretares së saj.

Shkresa permes te ciles Ada Oseku ve ne dijeni Ballukun per doreheqjen e zotit Abeshi dhe pamundesine e funksionimit te NJZP

Dorëheqja e kryetarit praktikisht e kishte nxjerr jashtë loje njësinë e zbatimit të projektit dhe çdo raportim që vinte nga supervizori i kontratës në ministrinë e Energjisë mbi ecurinë e ndërtimit kthehej mbrapsht, siç dëshmon kjo shkresë zyrtare e shkurtit 2021 e sekretares së përgjithshme të Belinda Ballukut drejtuar shoqërisë Integrated Energy dhe supervizorit Ave Consulting.

“Ju njoftojmë se në pamundësi të vendimarrjes si pasojë e largimit të kryetarit të NJZP, përfaqësues i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dhe në pritje të zëvendësimit të tij, raporti i fundit tremujor nuk është marrë në shqyrtim. Për këtë arsye po ja u kthejmë mbrapsht dokumentacionin, për përfshirjen e këtyre punimeve në raportimin pasardhës,” shkruan zonja Haxhiademi në shkresën drejtuar Integrated Energy dhe AVE Consulting.

Sekretarja e Pergjithshme e ministrise se Infrastruktures kthen mbrapsht raportimin e supervizorit per shkak se NJZP nuk funksionon

Përgjatë kësaj kohe ministria e Infrastrukturës i kërkonte ministrisë së Mjedisit të dërgonte një tjetër anëtar për emërim në NJZP, por Blendi Klosi nuk pranonte më. Edhe pse në dhjetor 2017, zoti Klosi kishte dërguar Pëllumb Abeshin në NJZP, pas dorëheqjes së këtij të fundit, ministria e Mjedisit refuzonte të dërgonte emër tjetër me argumentin se nuk ishte më Autoritet Kontraktor në koncesionin e inceneratorit, pasi Autoriteti Kontraktor i ishte transferuar ministrisë së Infrastrukturës. Ndoshta zoti Klosi kishte filluar të ndjente se inceneratori po shndërrohej në një patate të nxehtë dhe nuk donte më përgjegjësi.

Teksa njësia e mbikqyrjes ishte paralizuar, në maj të vitit 2021, supervizori dërgon raportin e radhës tremujor mbi ecurinë e ndërtimit të inceneratorit pranë NJZP, që kjo e fundit të informonte ministren Balluku. Por edhe këtë herë NJZP ja kthen mbrapsht raportimin supervizorit për të njëjtën arsye. Ada Oseku informon sërish sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Infrastrukturës, këtë herë duke i kërkuar më drejtëpërdrejtë që të marrë masa.

Ada Oseku i drejtohet serish MIE duke kerkuar qe te caktoje kryetarin e NJZP

“Sikurse ju kemi vënë në dijeni, NJZP-ja për monitorimin e fazës ndërtimore të zbatimit të kësaj kontrate koncesioni për mungesë të kryetarit, përfaqësues i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, është në kushtet e mosfunksionimit që nga nëntori i vitit 2020. Për këtë kemi përgatitur edhe shkresën për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për zëvendësimin e përfaqësuesit si dhe kemi kthyer mbrapsht dokumentacionin e dërguar nga shoqëria deri në ristrukturimin e kësaj NJZP-je. Si anëtarë të NJZP-së kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë caktimin e kryetarit dhe riorganizimin e NJZP-së. Të ndodhur para faktit të mosfunksionimit me vetëm 4 anëtarë dhe mosorganizimit të mbledhjeve të NJZP, nuk mund të procedojmë me miratimin e raporteve të dërguara nga supervizori. Lutemi ndërhyrjen tuaj,” i drejtohet zonja Oseku sekretares së përgjithshme të ministrisë së Infrastrukturës.

Ngërç mbi ngërç
Ngërçi i NJZP praktikisht e kishte lënë shtetin pa sy në mbikqyrjen e kontratës së koncesionit të inceneratorit të Tiranës dhe për disa tremujorë rresht situacionet e raportuara nga supervizori ktheheshin mbrapsht pa miratim dhe vendimarrje nga NJZP. Ne qershor të vitit 2021, ndodh një tjetër zhvillim. Erion Veliaj njofton Belinda Ballukun se anëtarja e NJZP, Ilda Qazimllari do të zëvendësohej me Henrik Hysenbegasin.

Një javë pas kësaj shkrese, zonja Balluku merr vendim të emërojë pikërisht zotin Hysenbegasi nga Bashkia Tiranë si kryetar të NJZP. Këtu nis një ngërç edhe më i madh. Zoti Hysenbegasi nuk pranon postin e kryetarit të NJZP, me argumentin se ky post i takonte autoritetit Kontraktor që ishte Ministria e Infrastrukturës dhe jo Bashkisë së Tiranës.

Pas kësaj përlasje hyn në skenë edhe vetë Erion Veliaj. Përmes një shkresë drejtuar zonjës Balluku, Erjon Veliaj shkruan se Bashkia Tiranë nuk mund të mbajë postin e kryetarit të NJZP, pasi ky post i takon autoritetit kontraktor, dmth ministrisë së Infrastrukturës.

“Bazuar praktikave të mëparshme të ngritjes së NJZP-ve dhe meqënëse shumica e anëtarëve të NJZP i përket Autoritetit Kontraktor duhet që kryetari të jetë një nga anëtarët e Autoritetit Kontraktor, mundësisht nga drejtoria e Mbetjeve. Ju bëjmë me dije se zoti Hysenbegasi do të jetë anëtar i NJZP, por nuk mund të mbajë funksionin e kryetarit,” i shkruan Veliaj Ballukut në shkresën me datë 2 gusht 2021.

Erion Veliaj i kthen pergjigje Ballukut ku refuzon caktimin kryetar te Henrik Hysenbegasit

Përplasja shkresore për postin e kryetarit vazhdoi gjatë. Megjithatë pas qershorit 2021, NJZP tashmë e ngelur me katër veta, dy anëtarë të MIE dhe dy të Bashkisë Tiranë, filloi të shqyrtonte raportet e supervizorit, pasi kishte më shumë se dy tremujorë që i kishte kthyer mbrapsht ato. Në korrik të vitit 2021, u zhvillua mbledhja e radhës e NJZP, ku katër anëtarët firmosën shtyrjen e afatit të ndërtimit të inceneratorit me 2 vjet duke i kërkuar sërish ministrisë së Infrastrukturës t’i jepte zgjidhje çështjes së kryetarit.

Bie ligji i koncesioneve
Dhënia në seri i koncesioneve nga qeveria kishte filluar të krijonte shqetësim për qëndrueshmërinë e financave të vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti presionin mbi qeverinë që kjo e fundit të mbikqyrte më hollësisht pasojat financiare të koncesionit. Si rezultat i presionit të FMN, qeveria u detyrua të ndryshonte ligjin e koncesioneve duke ngarkuar ministrin e Financave me detyrimin që çdo vit të paraqiste një raport vjetor të përmbledhur mbi ecurinë e kontratave aktive të konçesionit/ PPP, si aneks i raportit vjetor të zbatimit të buxhetit.

Raporti i publikua i plotë në vitet 2019 dhe 2020. Por në vitin 2021, raporti nuk mund të publikohej për shkak se inceneratori i Tiranës kishte mbetur pa mbikqyrje dhe ministria e Financave nuk kishte nga të merrte informacion për ecurinë e këtij koncesioni. Si rrjedhojë konflikti mes Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt përplaset në ministri të Financave. Ngërçi konsistonte në faktin se kush duhet të raportonte në ministrinë e Financave për ecurinë e punimeve tek koncesioni i inceneratorit, për sa kohë NJZP ishte pa kryetar. Në lojë tashmë hyn Delina Ibrahimaj.

“Nëpërmjet shkresave tuaja jemi vënë në dijeni lidhur me komunikimet mes dy institucioneve tuaja mbi problematikën se cili prej përfaqësuesve të MIE dhe Bashkisë Tiranë duhet të jetë në rolin e kryetarit për Njësinë e Zbatimit të Projektit. Nga sa më sipër ministria e Financave ju sjell në vëmendje se sipas ligjit të koncesioneve, përcjellja e raporteve periodike të monitorimit pranë ministrisë së Financave është përgjegjësi e Autoritetit Konktraktor,” i drejtohet Ibrahimaj në 9 maj 2022 ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës.

Delina Ibrahimaj i kujton Belinda Ballukut se kryetari i NJZP duhet te jete nga Autoriteti Kontraktor

Shkresa e Delina Ibrahimaj ja ngarkonte Belinda Ballukut përgjegjësinë për të emëruar kryetarin e NJZP. (Më vonë mes Ballukut dhe Ibrahimajt do të shpërthente një konflikt i ashpër, i cili kulmoi me sherr në mbledhje qeverie, çka u pasua me transferimin e Ibrahimajt nga ministre finance në ministre për sipërmarrjen.) Por dy muaj para kësaj shkrese, qeveria kishte miratuar një vendim, i cili e hiqte sektorin e mbetjeve nga fusha e përgjegjësisë shtetërore e ministrisë së Infrastrukturës duke e lënë atë jetim. Ky vendim ishte goditja finale, që shpartalloi totalisht kontrollin mbi inceneratorin.

Në 15 gusht të vitit 2022, katër anëtart e mbetur të NJZP zhvilluan mbledhjen e fundit. Pas kësaj mbledhje dorëhiqet një tjetër anëtare. Ada Oseku, përfaqësuese e ministrisë së Infrastrukturës njofton dorëheqjen duke arsyetuar se tashmë funksionimi i NJZP kishte rënë edhe ligjërisht, për shkak të vendimit të marsit 2022, që hoqi përgjegjësinë e mbetjeve nga ministria e Infrastrukturës.

Si rrjedhojë që pas gushtit 2022, NJZP mbeti me vetëm 3 anëtar; Arben Kaçorrin nga AKUM si përfaqësues i MIE dhe dy anëtarët e Bashkisë Tiranës, Enris Toska dhe Henrik Hysenbegasi. Mbledhja e fundit e NJZP është zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar, ku tre anëtarët e mbetur kanë përcjellë sërish me shkresë se janë në pamundësi për të zhvilluar mbledhje dhe kryer funksionin e tyre.

Mbledhja e fundit e NJZ ne dhjetor 2023 me vetem 3 anetare

Prej gati më shumë se dy vitesh koncesioni i Inceneratorit të Tiranës ka qenë praktikisht pa autoritet Kontraktor pasi askush nuk dilte zot të merrte vendime. Gjatë kësaj kohe nën dhe ka patur një përplasje të fuqishme edhe mes Belinda Ballukut dhe Mirela Kumbaros, pasi ministria e Infrastrukturës shtynte për të transferuar Autoritetin Kontraktor tek ajo e Mjedisit, por zonja Kumbaro nuk pranonte.

Dy muaj më parë, qeveria miratoi një vendim për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve duke ja vënë asaj përgjegjësinë ligjore për zbatimin e politikave të mbetjeve. Por, kjo agjenci ende nuk është funksionale duke zgjatur më shumë vakumin. Kjo është historia se si u shpartallua mbikqyrja e inceneratorit u shpartallua dhe arsyeja se pse hetimet e SPAK janë shtrirë edhe në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes sekuestrimit të telefonave të shumë zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie.

Një histori, ku përlasjet mes dy figurave të fuqishme të pushtetit Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt e lanë shtetin qorr në aferën e madhe të inceneratorit, ku paratë paguheshin lumë, ndërkohë që askush nuk merrte guximin të shkruante zyrtarisht se inceneratori nuk po ndërtohej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *