27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kumbaro rihap tenderin 4.3 mln euro për parkun e Ulzës

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit rihapi sërish tenderin me vlerë 4.3 milionë euro për Parkun Natyror të Liqenit të Ulzës dhe zonave përreth. Kjo është hera e dytë që ministria e Turizmit tenton të tenderojë këtë projekt, pasi tenderi i parë u anullua në mënyrë të dyshimtë.

Fillimisht tenderi për ndërtimin e Parkut Natyror në Liqenin e Ulzës u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. në të u paraqitën 5 oferta, por ministria vendosi t’i skualifikojë të gjtha.

Ky vendim u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike nga bashkimi i operatorëve “Fusha” SHPK & “Ulza” SHPK, por edhe ky organ vendosi të lërë në fuqi vendimin e ministrisë për skualifikimin e të gjitha ofertave dhe anullimin e tenderit.

Projekti për liqenin e Ulzës
Në dokumentet e saj qeveria pranonte se zona e Ulzës ka pasur investime private të shumta që tashmë duhet që shteti t’u përgjigjet me infrastrukturë dhe krijimin e elementëve shtesë që rrisin vlerën e rajonit.

“Në këtë kontekst në analizën hapësinore të projektit të zbatimit është identifikuar nevoja për ndërhyrje përmirësuese në pjesën e bregut të liqenit poshtë qytezës duke krijuar kështu një hapësirë të sistemuar dhe një shëtitore të përshtatshme me panoramën turistike liqenore.

Propozimi konsiston në krijimin e një shëtitoreje përgjatë të gjithë buzës së liqenit të kombinuar me mole për varkat apo për stacion për plazh.

Kjo strukturë do të funksionojë si elementi më dinamik turistik në qendrën e Parkut ku vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë nga afër liqenin por edhe të jenë pranë shërbimeve turistike të nevojshme” thuhej në dokument.

I njëjti nënvizonte se pjesa e investimeve është menduar të vijojë me qytetin e Ulzës ku do të zbatohet ndërtimi i një strukture për pritjen e vizitorëve.

Nga pikëpamja funksionale kjo strukturë do të ketë mundësi të ofrojë informacion të nevojshëm për Parakun Natyror por edhe hapësira të nevojshme shërbimi.

Në liqenin e Ulzës nga ana tjetër është menduar të shfrytëzohet potenciali që ofron ai lidhur me aktivitete të ndryshme turistike përfshirë lundrimin me varka, shëtitjet me kajak, noti, peshkimi.

Përgjatë korridorit të Shkopetit referuar dokumenteve janë parashikuar pika qëndrimi panoramike dhe parkime, dy stacione varkash, dhe stacione kampingu dhe kamerash.

Projekti parashikon në tërësi ndërhyrje në shëtitore plotësimin me stola druri, ndërtimin e njësive akomoduese turistike me dru dhe miqësore me mjedisin, tre kulla për vëzhgim mbi 19 metra të larta.

Të gjithë këto të pozicionuara në zona të ndryshme të asaj që sot është Parku natyror i Liqenit të Ulzës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *