Ministria e Turizmit llogaritë se qytetarët shqiptarë që japin apartamente me qira afatshkurtër për turistët fituan mbi 1 miliardë euro vitin e kaluar. Të dhënat janë bërë publike në Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.
Sipas ministrisë së Turizmit, për vitin 2023, apartamentet me qira afatshkurtër regjistruan rreth 10.3 milionë netëqëndrime. Ndërkohë në të njëjtën strategji, ministria e Turizmit thotë se norma mesatare (ADR) për natë qëndrimi në këto apartamente rezultoi 102 euro.
“Strukturat akomoduese me qira afatshkurtër arritën një okupancë mesatare prej 9,91% në Shqipëri në vitin 2023. ADR-ja u rrit në mbi 102 euro në vitin 2023, një rritje kjo me 55% krahasuar me një vit më parë, me një shumë të konsiderueshme të ardhurash të gjeneruara në rivierën jugore,” thuhet në strategji.
Me një përllogaritje të thjeshtë, sipas ministrisë së Turizmit, rezulton se qytetarët shqiptarë kanë fituar minimalisht 1 miliardë euro nga dhënia e apartamenteve të tyre me qira për turistët.
Megjithatë të gjitha këto shifra mbeten thjesht vlerësime virtuale. Zyrtarisht qeveria nuk ka të regjistruar në sistem asgjë nga tregu i qirave afatshkurtër, i cili mbetet gjerësisht informal dhe kontribon zero lekë në arkën e shtetit.
Sipas qeverisë, aktualisht Shqipëria ka mbi 176 mijë shtretër nga qiratë afatshkurtra dhe synimi i qeverisë është që brenda vitit 2030 numri i shtretërve të apartamenteve që jepen me qira afatshkurtër të arrijë në rreth 290 mijë.