Irena Beqiraj
Barrington Moore pohonte : “Pa borgjezi nuk ka demokraci! Teoria e modernizimin kishte në bazë një koncept të thjeshtë -” rritja ekonomike çon në krijimin e një klasë të mesme të fortë dhe një klasë e mesme e fortë është mekanizmi që trasformon rritjen ekonomike në rritje të kërkesave për demokraci.
Në një anketë të bërë nga Barometri në Euronews më shumë se 64% e të anketuarve ndiheshin më mirë ekonomikisht krahasuar me vitet 90 , ndërsa 47 % e tyre e konsideronin veten “klasë e mesme “.
Studiuesit e kanë njohur prej kohësh heterogjenitetin e klasës së mesme edhe pse shpesh e përshkruajnë atë si një grup homogjen. Në kulturat perëndimore, personat që përfshihen në klasën e mesme priren të kenë në një përqindje të lartë diplomë universitare, ata kanë më shumë të ardhura në dispozicion për konsum , kanë një shtëpi edhe një pension të sigurt. Në klasën e mesme shpesh futen profesionistët, menaxherët dhe nëpunësit civilë. Klasa ose shtresa e mesme përkufizohet gjithashtu si shtresa që fiton nga 67% deri në 200% të të ardhurave mesatare vjetore. Pra në Shqipëri përfshihen njerëzit që fitojnë nga 4,200 Euro/vit deri në 12,530 Euro/vit.
E ndërsa 47% e të anketuarve pretendojnë se i përkasin kësaj shtese edhe kjo nuk është një masë e vogël, pse paradoksalisht Shqipëria edhe pas 30 vitesh noton në ujrat e autokracisë?!.
Duket se nuk qenkërka ekzistenca në masë të madhe e klasës së mesme që siguron demokracinë por janë interesat dhe perspektivat që shtyn ose jo klasën e mesme të kërkojë demokraci.
Në regjimet autoritare mirëqenia e klasës së mesme është e ndërlidhur me shtetit.
Prsh, Shqipëria ka një klasë profesioniste që mbështetet gjerësisht për punësim në burokracinë shtetërore , ose edhe kur punon në sektorin privat suksesi I saj varet nga lidhjet e ngushta që krijon me shtetin, apo qëndrimeve që mban karshi tij .
Në vende ku më shumë se 1/3 e njerëzve me arsim të lartë punojnë në shtet , ku statusi dhe pozicioni I tyre është arritur edhe mbështetet drejtë për së drejti, ose indirekt nga shteti, ku ka perspektiva alternative të limituara për karrierë në sektorin privat , ku privilegjet dhe përfitimet varen nga fakti se kush e kontrollon shtetin politikisht , ku cdo qeveri e re zëvendëson punonjësit e sektorit publik me besnikët partiakë , apo mbështet profesionistët privatë brenda korpusit të saj politik, demokratizimi shëndrohet në labirint rreziku dhe pasigurie. Klasa e mesme shfaqet e rezervuar ose indiferente ndaj ndryshimit, pasi cdo tranzicion demokratik rrit pasiguritë për të.
Kur klasa e mesme ka frikë se papritmas mund ta gjej veten pa punë, pa bukë, pa ngrohje, pa mundësi, atëherë mund te thuhet se “mirëqenia I përcakton vetëdijen” edhe rrjedhimisht kjo shtresë mendon e vepron ndryshe nga borgjezia që portretizonte Barrington Moore.
Ne padyshim jemi ekonomikisht disa fish më mirë sesa ishin në vitet 90, por demokracia ka rezultuar mision i pamundur, pikërisht se kemi një klasë të mesme të ndërvarur nga shteti. E njëjta forcë që e bën demokracinë të mundur sipas teorisë se modernizimit duket gjithashtu forca që shkaterron tensionet edhe pengesat në themelet e saj.