Klodian Tomorri
Agjencia Financiare FINA, është autoriteti shtetëror i Kroacisë që lëshon certifikatat dixhitale të biznesit për efekt të fiskalizimit. Sipas tarifave publike të vendosura nga qeveria kroate, agjencia e shet certifikatën dixhitale të fiskalizimit me afat 5 vjeçar për një çmim prej 39.82 eurosh pa tvsh. (Tarifat ne Kroaci).
Me pak fjalë, bizneset kroate paguajnë 7.9 euro në vit për certifikatën dixhitale, që është e detyrueshme për fiskalizimin. E njëjta certifikatë në Shqipëri, aktualisht lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Çmimi me të cilin AKSHI ja u shet bizneseve shqiptare certifikatën e detyrueshme të fiskalizimit është 3300 lekë ose 31 euro pa tvsh.
Ndryshe nga Kroacia, në Shqipëri certifikata e fiskalizimit ka afat vetëm 1 vit, dhe në krye të vitit duhet rinovuar sërish po më të njëjtin çmim prej 31 euro pa tvsh. Pra, atë që bizneset kroate e paguajnë 7.9 euro në vit, ato shqiptare e paguajnë 31 euro në vit. Plot 4 herë më shtrenjtë.
Kroacia është vetëm një shembull. Por krahasimi nxjerr raporte thuajse të njëjta me të gjitha vendet që përdorin certifikatën e fiskalizimit. Çmimi në Shqipëri është disa fish më i lartë. Por nëse deri më sot ky çmim është justifikuar me faktin se paratë shkonin në shtet dhe financonin investimet në infrastrukturën dixhitale të vendit, tani llogaritë ndryshojnë.
Koncesion
Një ditë më parë Kapitali.al publikoi lajmin se ministria e Financave ka nisur procedurat për dhënien me koncesion të këtij shërbimi. Pra certifikatat e fiskalizimit, që blejnë bizneset shqiptare nuk do të lëshohen më nga AKSHI, por nga një kompani private që do të fitojë koncesionin. Paratë po kështu do të arkëtohen nga kompania private, dhe jo më nga AKSHI.
Certifikata dixhitale është vetëm njëri shërbim që kompania private do të ketë ekskluzivitetin për ta shitur në Shqipëri. Shërbimi tjetër është ai i nënshkrimit elektronik, edhe ky i detyrueshëm me ligj për pjesën dërrmuese të bizneseve. Tarifa e nënshkrimit elektronik, që paguajnë bizneset aktualisht është 4 mijë lekë ose 38 euro në vit pa tvsh.
Të dy shërbimet duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar shkojnë 84 euro në vit. Meqënëse në Shqipëri ka aktualisht rreth 120 mijë biznese aktive, fatura e këtij koncesioni shkon 10 milionë euro në vit, ose 100 milionë euro për 10 vjet. Këto para tani do të shkojnë në llogarinë private të koncesionarit.
Hijet pas koncesionit
Pak kohë më parë, ministria e Financave u ka bërë kërkesë zyrtarisht disa kompanive për të dhënë ofertë paraprake, ajo që shërben për përcaktimin e fondit limit. Kapitali.al mundi të verifikojë me siguri të plotë se mes tyre është dhe kompania Soft & Solution.
Soft & Solution është kompania që ka aktualisht kontratën e mirëmbajtjes së çelësave publikë. Burime nga tregu sinjalizonin se Soft është një nga kompanitë pretendente për të të marrë koncesionin e majmë. Por përfituesi real i koncesionit mund të jetë shumë më afër oborrit të pushtetit.
Ky është një koncesion i pastër grabitqar, që e bën dhe inceneratorin të duken si simbol ndershmërie. Me nisjen e procedurave, ministria e Financave ka filluar zyrtarisht ngrënien e dardhave. Ashtu si ka ndodhur deri më tani me koncesionet e tjera, pas disa viteve publiku ndoshta do të mësojë edhe se kujt do t’ia ngarkojnë në kurriz dardhat e ngrëna pas kurrizit. Por prapë do të mbetet pa përgjigje pyetja; Kush e ka fuqinë për ta bërë këtë koncesion?