Jared Kushner, dhëndri i kandidatit republikan për president, Donald Trump, ka planifikuar të investojë 931 milionë euro në ishullin e Sazanit për të ndërtuar aty një resort me vila dhe një hotel të brandit Aman.
Ishulli i shkretë prej 566 hektarësh mund të bëhet një vendstrehim i lakmuar shumë shpejt. Kushner synon të ndërtojë vila luksoze të vendosura në majë të shkëmbinjve që ngrihen mbi vendin ku detet Adriatik dhe Jon takohen në Mesdhe, duke u përzier në peizazhin e thyer.
“Hoteli do të operohet nga ekskluziviteti marka Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians”, thekson Bloomberg.
Sipas informacioneve të agjencisë, Kushner planifikon të ndajë 931 milionë euro për investime, të cilat qeveria shqiptare i mbështet.
Sipërmarrësi pranoi në një intervistë për Bloomberg se është “gjithnjë e më i emocionuar” për potencialin e ishullit shqiptar.
Që nga viti 2021, ai ka qenë disa herë në Shqipëri – herën e fundit në qershor – së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump. Çifti fluturoi drejt Ballkanit me avion privat dhe udhëtoi me helikopter.
Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit konfirmoi se kishte marrë një projekt amerikan për rizhvillimin e objekteve në ishullin e Sazanit. Po punohet për ta shqyrtuar atë.
Sipas Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, agjencia e investimeve e qeverisë shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka marrë aplikimin e Kushnerit për projektin e Sazanit dhe po e shqyrton.