Ndonëse në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ka ekzistuar një ekip i posaccëm për regjistrimin e pronave dhe ndonëse për këtë proces janë shpenzuar miliona euro, tani do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit ai që do të regjistrojë pronat në zonat turistike, përmes kontraktimit të një kompanie private.
FSHZH po kërkon një konsulent që do ofrojë mbështetje për procesin e regjistrimit fillestar apo përditesimin e pasurive të paluajtshme dhe pajisjen me dokumentacionin ligjor të pronave në fshatrat me potencial turistik. Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit 81.6 mln lekë, teksa në dokumentet shoqëruese specifikon se ky proces është thelbësor për realizimin e investimeve të parashikuara, si dhe do t’i hapë rrugë investimeve të reja publike apo private.
Po ashtu, përcaktohet se përmes këtij projekti regjistrimi i pasurive të paluajtshme do të kryhet Brenda një kohe të shkurtër dhe sipas procedurave ligjore. Regjistrimi fillestar apo përditesimi i pasurive te paluajtshme dhe pajisja me dokumentacionin ligjor do të përfshijë pasuritë e paluajtshme si: truall, tokë bujqësore, ndërtesa apo pasuri në lartësi.
Programi shtrihet në territorin e fshatrave me potencial turistik, përfshirë ato pjesë e programit të 100 fshatrave, në zonat me potencial zhvillimi dhe ku vlerësohet që ky investim është i nevojshëm për realizimin e projekteve të ndryshme të aplikuara pranë tyre.
Më konkretisht sipas hartës së publikuar, në total janë 106 fshtara nga veriu në jug të vendit, duke përfshirë: Valbonën, Thethin, Lurën, Shëngjergjin, Zvërnecin, Kaninën, Dhërmiun, Kuçin, Vunoin, Lukovën, Nikolicën, Voskopojën, Dardhën, Zaroshkën, etj.
Kohëzgjatja e procesit të regjistrimit fillestar apo të përmirësimit do të jetë 16 muaj nga data e lidhjes së kontratës, teksa tenderi do të qëndrojë i hapur për kompanitë e interesuar deri në datën 5 gusht.