Dokumenti i Prokurorisë së Tiranës, që u shit publikisht si urdhër për zhbllokimin e llogarive të qytetarëve hap një skandal të ri në frontin e aferës së madhe të mikrokredive. Kapitali publikon ekskluzivisht dokumentin e prokurorisë së Tiranës të mbajtur sekret, i cili nuk është as urdhër dhe as vendim për zhbllokimin e llogarive të qytetarëve, por një dokument i cili praktikisht amniston disa banka, të cilat kanë shkelur ligjin.
Dokumenti i firmosur nga prokurorja Suela Salavaçi, me titull “dërgim informacioni për lirimin e llogarive” nuk i detyron bankat të lirojnë llogaritë, por u tërheq vëmendjen atyre që të zbatojnë ligjin, më saktësisht udhëzimin e Bankës së Shqipërisë, i cili i detyron bankat të zhbllokojnë automatikisht llogaritë e sekuestruara, në rast se përmbaruesit nuk u kthejnë atyre përgjigje brenda 10 ditësh së çfarë do bëjnë më këto llogari.
“Në këto kushte, me qëllim që të mos vazhdojnë pasojat e veprimeve penale ndaj qytetarëve, në zbatim të nenit 600 të Kodit të Procedurës Civile, dhe udhëzimit numër 2 datë 27.03.2014, kërkojmë nga ana juaj heqjen e të gjitha sekuestrove mbi llogaritë e qytetarëve nga përmbaruesit të cilëve u është hequr liçenca” thuhet në dokumentin që prokuroria e Tiranës u ka dërguar zyrtarisht bankave private.
Kapitali ka mësuar se llogaritë bankare të mijëra qytetarëve kanë qëndruar të bllokuara në mënyrë të paligjshme për vite të tëra. Veçanërisht kjo problematikë ka qenë e theksuar në njërën nga bankat private më të mëdha të vendit, me të cilën dy subjektet e sekuestruara MCN dhe Final mbanin llogaritë dhe kryenin veprimet e tyre financiare.
Sipas dokumentit të prokurorisë këto llogari kanë qenë të bllokuara që nga viti 2021 edhe pse përmbaruesit e përfshirë në skemën e mashtrimit nuk kanë çuar brenda 10 ditësh nga sekuestrimi përgjigjen pranë bankave se si do të vepronin me to, nëse do të ekzekutonin shumat për të cilat ishte sekuestruar llogaria apo do ta lironin atë. Ky mos kthim i përgjigjeve nuk ishte i rastësishëm.
Përmbaruesit privatë të përfshirë në skemën e mashtrimit i mbanin qëllimisht të bllokuara llogaritë e qytetarëve për t’i detyruar ata që të merrnin sërish kredi tek MCA ose Final duke i futur kështu në spiralen e borxheve mashtruese. Por teksa përmbaruesit ishin pjesë e skemës së mashtrimit, ligji është shkelur edhe nga disa banka, të cilat në krye të 10 ditëve për çdo llogari të sekuestruar duhet të bënin zhbllokimin automatikisht nëse përmbaruesit nuk informonin bankën se çfarë do të bënin.
Në vend që të shtrinte hetimin tek personat përgjegjës të bankave, që kanë shkelur ligjin duke dëmtuar me mijëra qytetarë, prokuroria praktikisht ka bërë një amnisti të paligjshme duke u tërhequr vëmendjen që të zbatojnë ligjin.