27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ligji i ri; Jo më Ferrari, Bentley dhe Rolls pa taksa për biznesmenët

Autoveturat 4+1 që blihen në emer të biznesit nuk do të klasifikohen më si shpenzime plotësisht të zbritshme për qëllime fiskale. Në ligjin e ri për Tatimin mbi të Ardhurat, përcaktohet se duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm bizneset do të mund të amortizojnë vetëm gjysmën e vlerës së automjetit. “Baza e amortizimit për autoveturat 1+4 të personelit nuk mund të jetë më e lartë se 50% e kostove të blerjes dhe rikonstruksionit, përfshirë TVSH-në,” thuhet në ligj.

Ndryshe nga qytetarët automjetet e blera nga bizneset pëfitonin lehtësi fiskale. Përveç mundësisë së rimbursimit të TVSH-së mbi blerjen e automjetit, ligji u njihte bizneseve edhe të drejtën që koston e blerjes së automjetit ta amortizonin plotësisht për një periudhë disa vjeçare duke ulur tatimin mbi fitimin.

Pra nëse një biznesmen blinte një autoveturë 200 mijë euro, ai kishte të drejtën që këtë vlerë ta klasifikonte plotësisht si shpenzim të zbritshëm duke ulur kështu fitimin e ndërmarrjes dhe rrjedhimisht edhe tatimin që duhet të paguante në shtet. Për këtë arsye pjesa më e madhe e biznesmenëve i blejnë automjetet e tyre personale në emër të bizneseve.

Situata u shndërrua në qesharake, teksa sot në Shqipëri ka biznese të cilat amortizojnë Ferrari, Bentley apo Rolls Royce të deklaruara si automjete personeli në bilancet e tyre

Përveç përgjysmimit të vlerës së amortizimit, ligji i ri vendos edhe një kufizim tjetër për automjetet e bizneseve. “Kostoja e plotë e autoveturës 1+4, e cila amortizohet 50%, nuk mund të jetë më e lartë se 10 000 000 lekë,” thuhet në ligj.

Pra, nga 1 janari i vitit të ardhshëm bizneseve në Shqipëri nuk do t’u njihet më shumë se 5 milionë lekë shpenzim i zbritshëm për automjetet që ata blejnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *