26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ligji i ri për fermerët/ Kredi duke vendosur të mbjellat si kolateral

Fermerët shqiptarë do të të kenë mundësi të vendosin të mbjellat e tyre si garanci për të marrë kredi ose financime të ndryshme për aktivitetin e tyre të përditshëm. Qeveria ka hartuar një projektligj, i cili ligjëron konceptin e deftesave tregtare mbi produktin e ardhshëm bujqësore.

Drafti i miratuar në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, Shoqatën e Bankave dhe AKSHI-n, parashikon se fermerët mund të lëshojnë dëftesa tregtare për produktin e ardhshëm bujqësor për të siguruar financime, qoftë nga institucionet financiare, por edhe nga furnitorët e tyre.

Këto para që merren garantohen me produktin e mbjellë dhe në rast se fermeri nuk e shlyen dot detyrimin, atëherë kreditori merr pronësinë e prodhimit bujqësor njësoj si kolateralet e pasurive të patundshme.

Sipas qeverisë, drafti sjell në Shqipëri një model që është provuar me sukses në vende si Brazili, por edhe Ukraina, ku futja e dëftesave tregtare mbi prodhimet e ardhshme bujqësore ose ato të magazinuara ka rritur ndjeshëm financimin e sektorit bujqësor.

Sipas ligjit, dëftesat e lëshuara nga fermerët do të gjenerohen në mënyrë elektronike nga portal e-Albania. “Procedura për lëshimin e këtyre dëftesave tregtare është parashikuar të jetë elektronike, në platformën shtetërore e-Albania, pa tarifa, duke kryer në të njëjtën kohë online edhe regjistrimin si barrë siguruese të këtyre dëftesave,” thuhet në draft.

Të gjitha dëfetsat do të regjistrohen në një regjistër të posaccëm dhe ata pushojnë së ekzistuari në momentin kur femeri shlyen detyrimin tek kreditori ose në pamundësi të shlyerjes i dorëzon atij prodhimin bujqësor të vendosur si garanci.

Efekti primar që pritet të sjellë në zbatim ky projektligj do të jetë shtimi i financimit në bujqësi, rritja e sipërfaqes së kultivuar në vend, rritja e ndjeshme e sasisë dhe përmirësimi të cilësisë së produkteve bujqësore, një funksionim më i mirë i gjithë zinxhirit të produkteve bujqësore, që nga çasti i mbjelljes së fidanëve/ farave e deri në çastin e shitjes apo përpunimit të produkteve bujqësore.

“Si efekt indirekt pritet që projektligji të ndikojë për mirë duke shmangur problemin e shkaktuar deri tani nga copëzimi i skajshëm i tokës bujqësore. Pra efektet e pritshme pozitive janë të shumta me impakt në rritjen ekonomike në sektorin e bujqësisë, rritje të mirëqënies së fermerëve, si dhe të subjekteve të tjera, të përfshira në këtë sektor,” përfundon relacioni shoqërues i projektligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *