29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ligji i ri/ Qytetarët që japin apartamente me qira për turizëm detyrohen të regjistrohen në QKB

Qytetarët që japin apartamente me qira për turizëm do të detyrohen që të regjistrohen si subjekte në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe të pajisen me certifikatën e kategorizimit nga Ministria e Turizmit.

Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili zgjeron gamën e subjekteve që do të quhen si struktura akomoduese duke përfshirë edhe 5 kategori të reja. Ato janë; Apartament, Bllok apartamentesh, Vilë, Hotel Trashëgimi Kulturore, Hotel i shpërndarë dhe Dhomë Standard.

“Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi,” thuhet në projektligjin e propozuar nga Ministria e Turizmit.
Sipas draftit të ri, çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin te kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

Po kështu strukturat akomoduese do të kenë detyrimit që të krijojë një ambient të posaçëm e të veçuar për grumbullimin e mbetjeve dhe largimin e tyre sipas rregullave të parashikuara në aktet e nxjerra nga pushteti vendor.

Gjoba kush nuk bindet
Subjektet, të cilat nuk i binden ligjit të ri do të ndëshkohen me gjoba, për të gjitha rastet kur shkelja nuk përbën vepër penale. Kështu, ata që japin apartamente me qira, por nuk regjistrohen si subjekt në QKB ose nuk pajisen me certifikatën e kategorizimit do të dënohen me 20 deri në 50 mijë lekë kur kanë nga 1 deri në 5 dhoma.

Për ata që kanë 6-15 dhoma gjoba është 100 mijë lekë, ndërsa për ata që kanë mbi 16 dhoma ajo rritet në 200 mijë lekë, ndërsa për më shumë dhoma ajo arrin deri në 400 mijë lekë.

Paralelisht me këto, strukturat akomoduese kanë detyrimit të ekspozojnë në vend të dukshëm për publikun emrin e biznesit si dhe listën e çmimeve në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në të kundërt do të gjobiten me 50 mijë lekë.

Ato struktura të cilat nuk mbajnë statistikat dhe nuk kryejnë regjistrimin elektronik të klientëve të tyre do të gjobiten deri në 100 mijë lekë.

Shtrëngohen kriteret për agroturizmin
Ligji i ri vendos detyrimin që subjektet e agroturizmit të certifikohen nga ministria përgjegjëse për turizmin, nëpërmjet certifikatës paraprake për ndërtimin e agroturizmit dhe certifikatës për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit. Nëse nuk e përmbushin këtë detyrim atëherë subjektet e agroturizmit gjobiten me 50 mijë lekë kur kanë deri në 5 dhoma dhe 100 mijë lekë nëse kanë mbi 5 dhoma.

Po kështu që një subjekt të përfitojë statusin e agroturizmit ai duhet të përmbushë disa kushte. Së pari duhet të ketë ferma të lidhura me agroturizmin dhe ushqimet që ofrohen në të duhet të vijnë nga vetë ferma ose nga prodhuesit lokal.

Po kështu agruturizmi duhet të ketë strukturën pritëse të ndërtuar ose atë që parashikohet të ndërtohet, si dhe të ofrojë aktivitete argëtuese dhe edukative. Nëse këto detyrime atëherë subjekti i agroturizmit gjobitet 100 mijë lekë.

Operatorët turistikë dhe udhërrëfyesit
Ligji i ri vendos detyrime edhe për operatorët turistikë, por edhe ata që punojnë si udhërrëfyes. Operatorët turistikë, para fillimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie, pajisen me licencë, sipas ligjit përkatës të liçencave. Nëse nuk e bëjnë këtë gjobiten automatikisht me 300 mijë lekë.

Agjencia e udhëtimit dhe operatori turistik mban regjistër me të dhënat e turistëve, destinacionet e vizituara dhe ditët e qëndrimit dhe i raporton këto të dhëna elektronikisht, një herë në muaj, sipas formularit të miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin. Ato që nuk e respektojnë këtë gjobiten me 100 mijë lekë.

Për udhërrëfyesit ligji vendos detyrimin e pajisjes me certifikatë. Ata që do ta ushtrojnë këtë aktivitet pa u pajisur me certifikatë nga ministria e Turizmit do të gjobiten me 100 mijë lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *