Klodian Tomorri
Kur kryeministri shpalli ndryshimet e qeverisë në asamblenë e Partisë Socialiste, dikush prej atyre që i doli emri për ministër pyeti kolegun në krah; Më fal, por unë në cilën ministri u emërova se nuk e kuptova mirë?
Ky është shembulli më kuptimplotë, që dëshmon se sa të parëndësishme janë ndryshimet e kabinetit qeveritar në realitetin e pushtetit absolut . E bashkë më të edhe emrat e atyre që Edi Rama i lëviz si gur shahu pa zë në skakierën e pushtetit të tij absolut.
Për shkak të këtij realiteti, valsi i emrave që vijnë apo ikin nga qeveria, zor se kanë ndonjë interes apo impakt domethënës për publikun, përtej kuriozitetit momental. I vetmi interes, nëse mund të quhet kështu, është sinjali që marrin qytetarët se ku do të jetë goditja e radhës e cekanit të SPAK. Por tani fusha duket e hapur për të gjithë.
Në serialin e famshëm El Chapo, që duket se kryeministrit e ka per zemer, ka një shprehje të kryetrafikantit sa herë që DEA kapte ndonjë nga njerëzit e tij. Shprehja është kjo; “Lojtarët mund të ndryshojnë, por loja duhet të vazhdojë.”
Edhe pse togerët e kryeministrit nuk po i kap DEA, por SPAK thelbi i fjalimit të gjatë që Edi Rama mbajti në asamblenë socialiste ishte thuajse identik me filozofinë e El Chapos. Por herë pas here i shoqëruar me garniturën e arritjeve mahnitëse të Shqipërisë turistike dhe rekordet botërore të Bledi Çuçit kundër skifterëve.
“Më vjen mirë kur organet tona të drejtësisë e fshijnë nga rruga cilindo që ka punuar me mua ditën në dukje për popullin, dhe natën duke vjedhur pas shpinën time djersën e popullit hipur kalapiç mbi shpinën e PS,” tha kryeministri.
Me pak fjalë, potencialisht çdo socialist dhe bashkëpuntor i afërt i kryeministrit është kontigjent për në SPAK. Të gjithë pa përjashtim. Përveç kryeministrit, i cili e mirëkupton edhe ndonjë gabim që drejtësia e re mund të bëjë në procesin e rritjes. Pra, lojtarët mund të ndryshohen. Por vetëm kaq.
Pak ditë pasi SPAK kreu arrestimet për koncesionin e sterilizimit, kryeministri bashkë me ministren e shëndetësisë nxituan në spitalin Shefqet Ndroqi. Aty Edi Rama dha pjesën e dytë të mesazhit të tij.
“Kur u lajmëruan masat e sigurisë, për atë grupin që ka bërë procesin e sterilizimit, kam marrë disa mesazhe. Ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë. Dhe, ku do shkojmë? Dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje. Dhe nuk ka shanse”.
Pra, sekuestrimi i sterilizimit do të ishte një gabim fatal i drejtësisë së re nga ata që nuk mund të mirëkuptohen e aq më pak të falen. Sepse loja duhet të vazhdojë. Kurse dardharët dhe kumbullaxhinjtë, gjindja pa fe dhe Atdhe, të presin radhën pa bërë zhurmë.