Me një fond limit prej 5.4 mld lekë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur 7 tendera për sistemim rrugësh, përmirësim të transportit dhe hartim të modeleve tip për rehabilitimin e fasadave të godinave të banimit sipas parimeve të eficiencës së energjisë.
Rreth 2.5 mld lekë është fondi limit për sistemin e rrugëve në 4 rajonet e vendit, ndërsa 1.25 mld lekë është fondi për përmirësimin e transportit dhe aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha, në rajonin 1 dhe 2. Gjithsesi, në dokumentet e tenderit nuk jepen detaje mbi projektet specifike që do të zbatohen.
Ndërkaq, rreth 1.67 mld lekë është fondi limit për 4 tenderët e tjerë, që kanë në fokus rigjenerimin urban të stokut të banesave. Për këto ndërhyrje FSHZH specifikon se qëllimi kryesor është rritja e cilësisë së jetës së komuniteteve që popullojnë zonat urbane, si dhe lidhja e zonave turistike që kanë potencial për zhvillimin ekonomik dhe social.
Kompanitë që do të fitojnë këta tenderë do të duhet të përcaktojnë tipologjinë e ndërhyrjeve dhe koston e përafërt të ndërtimit, duke paraqitur disa modele tip për tipologji fasade sipas kushteve klimaterike për çdo ndërhyrje të propozuar.
Sipas FSHZH, ndërhyrjet kanë si qëllim rehabilitimin e blloqeve urbane në qytetet kryesore të vendit, për të krijuar një sistem të përmirësuar në të cilin zhvillohet jeta e banorëve të këtyre zonave.