29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Manastirliu fshin postimin për Sterilizimin

Hetimi për koncesionin e sterilizimit me sa duket ka futur në panik ministrinë e Shëndetësisë. Një ditë më parë, gjatë vizitës në pavionin e sterilizimit të spitalit Shefqet Ndroqi së bashku me kryeministrin Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri një postim në facebook me dy paragrafe.

Në paragrafin e parë shefja e shëndetësisë vinte në dukje arritjet që ka sjellë koncesioni i sterilizimit në uljen e infeksioneve postoperatore dhe ditëqëndrimeve në spital. Por pjesa më interesante ishte paragrafi i dytë i postimit. Në të ministrja e shëndetësisë distancohej nga afera e sterilizimit dhe ata që kishin abuzuar, një qëndrim në linjë me atë të shefit të saj Edi Rama.  

“Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët,” shkruante Manastirliu.

Por vetëm 90 minuta më pas, ministrja e ndryshoi postimin e saj duke e fshirë të gjithë paragrafin e dytë për hetimin e SPAK.

Çfarë e detyroi ministren e Shëndetësisë të fshinte postimin?

Mos ndoshta urdhri i vartësit të saj Manohasa, që ndaloi përdorimin e paketimeve të thjeshta me avull duke rritur faturën e koncesionit të paktën më 7 milionë euro?

 Apo lejimi i kompanisë koncesionare t’i ngarkojë miliona euro fatura energjie dhe uji padrejtësisht shtetit.   

Afera e sterilizimit nuk qëndron thjesht tek dhënia e shërbimit me koncesion dhe nënshkrimi i kontratës. Abuzimet më të mëdha financiare të kësaj kontrate lidhen me zbatimin e saj, ku ministria e Shëndetësisë ka toleruar kompaninë të fitojë padrejtësisht në kurriz të buxhetit publik. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *