27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Mashtrimi më shtëpitë, policia indiane vë nën hetim Alabbarin

Muhammed Alabbar pronari i kompanisë Eagle Hills, që po ndërton projektin turistik në portin e Durrësit është thirrur nga policia indiane për t’u marrë në pyetje në lidhje me një çështje mashtrimi mbi një projekt që kompania Emaar po realizon në Indi.

Sipas lajmit të bërë publik nga mediat indiane, krimi ekonomik i këtij vendi po heton kundër Emaar India Ltd dhe drejtorëve të saj për projektin e shtëpive Palm Garden në qytetin e Gurgramit.  

Indiatimes raporton se emri i Alabbarit përmendet si si një nga të akuzuarit dhe si një person në dijeni për faktet e rrethanat në njoftimin e lëshuar nga hetuesit e policisë së krimit ekonomik. Sipas saj në këtë njoftim shkruhet: “Ju informojmë se ka baza të arsyeshme që ju të pyeteni për faktet dhe rrethanat në kuadër të hetimit aktual.”

Hetimi

Policia e Delhit filloi hetimin pas denoncimeve të Manish Kumar Patni, një qytetari Indian, i cili kishte prenotuar blerjen e një shtëpie në kompleksin e Emaar. Patni akuzoi se Emaar India Limited, kreu mashtrim dhe vepër penale duke u shitur shtëpi qytetarëve Indian në projektin Palm Garden.

Projekti rezidencial u lançua në vitin 2010 dhe kompania u kishte premtuar blerësve se do t’i dorëzonte shtëpitë në periudhën shtator-dhjetor 2015. Sipas akuzës, kompania mori paratë nga blerësit dhe i orientoi ato në qëllime të tjera duke shtyrë në mënyrë të jashtëzakonshme përfundimin e projektit.

Po kështu qytetari ka akuzuar se kompania ka mashtruar me projektin dhe se nuk ishte pajisur me lejet e nevojshme nga autoritetet në kohën që shiti apartamentet. Po kështu në përmenden dhe disa banka vendase, të cilat kanë bashkëpunuar me Emaar.

Emaar: po bashkëpunojmë me drejtësinë

Tre ditë më parë avokatët e kompanisë Emaar u paraqitën në zyrat e policisë së Delhit. Edhe pse policia kishte kërkuar personalisht Alabbar për të marrë në pyetje, shkuarja e avokatëve duket se është pranuar nga organet ligjzbatuese të Delhit.

Zëdhënësi i Emaar deklaroi se hetimi lidhet mirëfilltazi me një çështje civile, të nisur pas akuzave të disa qytetarëve kundër bankave. Sipas tij, kompania po ndjek procesin ligjor dhe i ka ofruar bashkëpunim të plotë organeve të ligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *